Marta Kos: Vendet kandidate duhet të shkëputen nga MAGA e Trumpit për t’iu bashkuar BE-së

Nga Xh M
19 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Bruksel, 9 shtator Zhurnal.mk – Vendet kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian duhet të ndërpresin lidhjet me lëvizjen MAGA të Donald Trumpit, nëse duan t’i bashkohen BE-së, deklaroi shefja për Zgjerimin e Komisionit Evropian, Marta Kos.

“Ne nuk duhet të rrezikojmë që anëtarët tanë të ardhshëm të krijojnë varësi nga të tjerët që janë në kundërshtim me interesat tona afatgjata”, tha Kos në një aktivitet të organizuar nga Qendra për Studime të Politikave Evropiane në Bruksel.

Sipas saj, për herë të parë në historinë e procesit të zgjerimit të BE-së, Unioni përballet me kundërshtarë.

E pyetur se kush janë ata, Kos u përgjigj: “Është e qartë se Rusia është një prej tyre”.

Por, sipas saj, BE-ja po ndjen gjithashtu “presion nga Perëndimi, nga ideologët e MAGA-s, të cilët po përpiqen të na bindin se qytetërimi ynë evropian është në rënie, se ekonomia jonë është në rënie dhe se nuk kemi demokraci të vërtetë”.

Deklaratat e Kos vijnë në një kohë kur administrata e Trumpit po përpiqet të forcojë lidhjet politike dhe ekonomike me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Strategjia e Sigurisë Kombëtare e administratës Trump, e publikuar vitin e kaluar, e akuzoi BE-në për minimin e “lirisë politike dhe sovranitetit”. Në dokument thuhet gjithashtu se SHBA-ja do të mbështesë “rezistencën ndaj trajektores aktuale të Evropës”, përmes mbështetjes së partive të djathta “patriotike” në të gjithë bllokun.

Kos e cilësoi Kinën si “një rast ndryshe”, duke argumentuar se Pekini nuk është përfshirë në fushata dezinformimi të llojit që, sipas saj, Moska ka zhvilluar kundër Malit të Zi dhe vendeve të tjera kandidate të Ballkanit Perëndimor.

Në vend të kësaj, tha Kos, Kina synon të forcojë lidhjet ekonomike me vendet kandidate, me qëllim që të përfitojë ekonomikisht pasi ato të anëtarësohen në BE.

“Kina në njëfarë mënyre po rrënjoset në vendet tona kandidate; ajo vjen në këto vende dhe pret që ato të bëhen anëtare të BE-së, sepse pasi të jenë në BE, kompanitë e tyre do të jenë pjesë e tregut të përbashkët”, tha ajo.

“Pra, ata e bëjnë këtë ndryshe dhe, për momentin, nuk shohim këtë lloj dezinformimi nga ana e tyre”, shtoi Kos.

Ndërkohë, investimet amerikane në Ballkanin Perëndimor janë përshpejtuar gjatë muajve të fundit, por ato janë shoqëruar edhe me polemika.

Firma AAFS, e lidhur me Trumpin, planifikon investime prej më shumë se 2 miliardë eurosh në Bosnje dhe Hercegovinë.

Serbia ka nënshkruar marrëveshje ekskluziviteti për investime me SHBA-në dhe shpreson të ndërtojë hidrocentralin e ri “Gjerdap 3”, ekskluzivisht me kompani amerikane.

Në Shqipëri, protestat kanë shpërthyer për shkak të një projekti për një kompleks hotelier të lidhur me vajzën dhe dhëndrin e Donald Trumpit, i cili planifikohet në një zonë ligatinore të mbrojtur.

Ndërkohë, edhe Mali i Zi, i cili konsiderohet favorit për anëtarësim në BE, ka qenë në qendër të vëmendjes së shtuar të zyrtarëve amerikanë gjatë muajve të fundit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër