Shkup, 18 qershor, Zhurnal.mk – Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani, zëvendësministri Gjoko Velkovski dhe përfaqësuesja e UNICEF-it, Leslie Miller, prezantuan mesazhet kryesore për forcimin sistemik të arsimit dhe kujdesit parashkollor dhe zgjerimin e përfshirjes së fëmijëve në edukimin dhe arsimin parashkollor.
Në konferencën e titulluar “Fillim i hershëm, përfitime të qëndrueshme – çerdhe për çdo fëmijë!”, u prezantuan gjetjet dhe rekomandimet nga analiza për modele inovative të financimit të edukimit dhe kujdesit parashkollor.
Maqedonia e Veriut mund ta përshpejtojë zgjerimin e qasjes në çerdhe nëse kombinon investimet publike me mbështetjen e çerdheve private dhe punëdhënësve, duke siguruar shërbime të përballueshme financiarisht dhe gjithëpërfshirëse, tregon analiza e re e mbështetur nga UNICEF.
Gjetjet theksojnë urgjencën, por edhe mundësitë: mbi 79.000 fëmijë të moshës 0–6 vjeç nuk janë të regjistruar në ndonjë formë çerdheje, ndërsa për të arritur objektivin kombëtar prej 65 për qind fëmijë të regjistruar deri në vitin 2032, nevojiten rreth 19.000 vende shtesë.
Kërkesa tashmë e tejkalon ofertën – në vitin 2025 kishte gati 5.000 fëmijë në listat e pritjes. Përfshirja ndryshon ndjeshëm sipas komunave: nga përqindje të larta në disa zona, deri në më pak se 10 për qind ose aspak regjistrime në të tjera. Fëmijët më të cenueshëm – si fëmijët romë, fëmijët me aftësi të kufizuara dhe ata që jetojnë në varfëri – vazhdojnë të kenë qasje më të vogël në këto shërbime.
Ministri Limani theksoi se Ministria po punon për zgjerimin e kapaciteteve përmes ndërtimit dhe rikonstruksionit, por edhe përmes modeleve alternative si grupet e kujdesit në hapësira të tjera dhe qendrat për zhvillim të hershëm të fëmijëve, si dhe për mbështetjen e ofruesve privatë të shërbimeve.
“Në bashkëpunim me projektin e Bankës Botërore për përmirësimin e shërbimeve sociale dhe me UNICEF-in, do të propozojmë modelin e vauçerëve me të cilët fëmijët nga familjet e cenueshme dhe ata që janë në listat e pritjes do të mund të regjistrohen në çerdhe private. Ky qasje, nëse jep rezultate të mira në praktikë, mund të bëhet politikë e qëndrueshme që do të kontribuojë në rritjen më të shpejtë të përfshirjes”, tha ministri Limani.
Analiza tregon se sistemi aktual, i cili kryesisht mbështetet në fondet publike, nuk mund ta përmbushë mjaftueshëm shpejt kërkesën. Vetëm 7 për qind e fëmijëve të regjistruar ndjekin çerdhe private, ndërsa rastet kur punëdhënësit organizojnë shërbime të tilla për fëmijët e punonjësve janë shumë të rralla. Zgjerimi i infrastrukturës publike do të zgjaste me dekada dhe do të kërkonte investime mbi 100 milionë euro, si dhe fuqi punëtore dukshëm më të madhe.
Mënyra më efikase për rritjen e përfshirjes është kombinimi i zgjerimit të infrastrukturës publike me futjen e bashkëfinancimit të çerdheve private dhe punëdhënësve. Analiza propozon që deri në vitin 2032 të hapen rreth 13.500 vende të reja në çerdhet private dhe 5.300 vende në çerdhet publike, me një model bashkëfinancimi që do të mundësojë shërbime të qasshme për të gjitha familjet, përfshirë edhe më të cenueshmet.
