5
Shkup, 30 tetor, Zhurnal.mk – Ministria e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale po ndërmerr masa konkrete për vlerësimin më të lartë të burimeve natyrore, përmbushjen e vazhdueshme të detyrimeve koncesionare dhe mbikëqyrjen më efikase në sektorin minerar. Janë rritur tarifat koncesionare, arkëtimi në vitin 2025 ka tejkaluar 1,2 miliardë denarë, janë evidentuar 53 kontrata koncesionare të ndërprera, ndërsa në vitin 2026 kapacitetet inspektuese janë përforcuar me tre inspektorë shtesë.
Me Tariforin e ri, i cili zbatohet nga 1 janari i vitit 2025, tarifa koncesionare për lëndët e para minerale metalike është rritur nga 2% në 4%, ndërsa për mermerin nga 1% në 5%. Me këto ndryshime rritet detyrimi financiar i koncesionarëve për shfrytëzimin e burimeve natyrore, si dhe kontributi që shteti përfiton nga eksploatimi i tyre.
Arkëtimi i përgjithshëm nga tarifat koncesionare në vitin 2024 ishte rreth 561,5 milionë denarë, ndërsa në vitin 2025 arriti në rreth 1,222 miliardë denarë. Kjo paraqet një rritje prej më shumë se 660 milionë denarësh, pavarësisht tatimeve dhe kontributeve që kompanitë paguajnë mbi baza të tjera.
Paralelisht me përmirësimin e arkëtimit, Ministria po vepron edhe në lidhje me kontratat koncesionare. Rritja e arkëtimit rezulton nga tarifat më të larta, kontrollet e përforcuara në terren, paralajmërimet me shkrim dhe veprimi më i vendosur ndaj koncesionarëve që nuk i përmbushin detyrimet. Ndërprerja e kontratave dhe përforcimi i mbikëqyrjes inspektuese janë pjesë e qasjes sipas së cilës koncesioni nënkupton detyrime të qarta, ndërsa pagesa e tarifës nuk i liron operatorët nga përmbushja e kushteve teknike dhe detyrimeve për mbrojtjen e mjedisit jetësor.
Për rregullimin afatgjatë dhe sistematik të sektorit është miratuar Strategjia për Hulumtime Gjeologjike dhe Shfrytëzim e Eksploatim të Qëndrueshëm të Burimeve Minerale për periudhën 2026–2046, me kontributin e ekspertëve të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë (ASHAM). Për këtë dokument është realizuar vlerësimi strategjik i ndikimit në mjedisin jetësor dhe është zhvilluar debat publik. Strategjia i ndërlidh objektivat ekonomike me mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe aspektet sociale, ndërsa përmban edhe një plan veprimi për periudhën 2026–2030. Ajo siguron një kornizë për planifikimin, zbatimin dhe ndjekjen e masave për zhvillimin e sektorit.
Ministria po punon edhe për zgjidhje të reja ligjore në fushën e minierave dhe gjeologjisë. Korniza e propozuar parasheh mbulim financiar prej 100% të shpenzimeve të vlerësuara, të përcaktuara me planin përkatës për menaxhimin e mbeturinave minerare dhe detyrimet e ndërlidhura. Në këtë mënyrë, në vend të modelit aktual, ku garancia arrin rreth një të tretën e shpenzimeve të vlerësuara, sigurimi financiar do të ishte afërsisht tri herë më i rreptë. Qëllimi është të përforcohet përgjegjësia financiare e operatorëve dhe të sigurohen në kohë mjetet për sanimin, rikultivimin dhe përmbushjen e detyrimeve pas mbylljes së kapaciteteve minerare.
Gjatë përgatitjes së zgjidhjeve ligjore është mundësuar pjesëmarrja e publikut përmes ENER-it, përfshirë ekspertët, komunat, kompanitë, organizatat qytetare dhe individët. Në faqen e internetit të Ministrisë janë publikuar regjistrat e kontratave koncesionare, lista e koncesioneve të revokuara, si dhe regjistrat e autorizimeve dhe licencave për projektet minerare dhe dokumentacionin gjeologjik. Publikimi i këtyre dokumenteve mundëson verifikimin e informacioneve konkrete dhe kontribuon në transparencë më të madhe në sektor.
Burimet minerale kanë potencial për të nxitur investime, hapjen e vendeve të punës dhe zhvillimin e ekonomisë vendore. Megjithatë, potenciali ekonomik i një projekti të caktuar nuk i zëvendëson kushtet ligjore për miratimin dhe realizimin e tij. Çdo projekt duhet të shqyrtohet edhe nga aspekti i ndikimit në ujë, tokë, ajër, shëndetin e njerëzve, bujqësi dhe veprimtaritë e tjera në zonën e prekur.
Është e nevojshme të bëhet dallim i qartë ndërmjet hulumtimit gjeologjik, planit hapësinor, koncesionit dhe lejes për eksploatim, pasi secili prej këtyre instrumenteve ka funksion të ndryshëm juridik. Përfshirja e një vendburimi mineral ose e një destinimi minerar në një dokument planifikues, në vetvete, nuk përbën leje për hapjen e një miniere. Gjithashtu, koncesioni nuk i zëvendëson procedurat e tjera të detyrueshme, aktet mjedisore dhe miratimet përkatëse.
Ministria vepron brenda kompetencave të saj ligjore, ndërsa procedurat për mbrojtjen e mjedisit jetësor zhvillohen para organeve kompetente për mjedisin. Mbikëqyrjen e kryejnë dy organe të veçanta inspektuese, secili brenda kompetencave të veta: Inspektorati Shtetëror për Energjetikë, Miniera dhe Burime Minerale, për dispozitat minerare, gjeologjike dhe teknike, si dhe Inspektorati Shtetëror i Mjedisit Jetësor, për mbrojtjen e mjedisit. Përforcimi i kapaciteteve njerëzore të inspektoratit të parë do të vazhdojë. Çdo institucion është përgjegjës për ligjshmërinë, kushtet e përcaktuara dhe arsyetimin e akteve që miraton. Çështjet e ngritura nga qytetarët lidhur me furnizimin me ujë, bujqësinë, mbeturinat dhe zhvillimin lokal meritojnë trajtim serioz dhe përgjigje konkrete e të verifikueshme.
Ministria thekson se politizimi partiak i kësaj çështjeje dhe përhapja e informacioneve sipërfaqësore ose të paverifikuara e vështirësojnë debatin publik të informuar. Barazimi i një dokumenti planifikues me lejen për hapjen e një miniere është juridikisht i gabuar dhe krijon frikë të pajustifikuar te qytetarët. Partitë politike, përfshirë opozitën, kanë përgjegjësi që qëndrimet e tyre t’i mbështesin në dokumente dhe fakte të verifikueshme, e jo në të dhëna të përzgjedhura në mënyrë selektive dhe cilësime politike. Shfrytëzimi i shqetësimeve të qytetarëve për të fituar votues, në vend të sqarimit të fakteve, paraqet keqpërdorim të një teme me interes serioz publik.
Qytetarët kanë të drejtë të presin që vendimet të merren në bazë të ligjit, vlerësimit profesional dhe kushteve të përcaktuara qartë. Çdo procedurë në kompetencë të Ministrisë do të zhvillohet në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi dhe standardet evropiane të zbatueshme për mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe sigurinë. Ministria nuk do të marrë vendime as me urdhër të investitorëve dhe as nën presion politik, por vetëm në përputhje me ligjin dhe në interes publik. Ministria mbetet e hapur për komunikim me qytetarët, komunitetet lokale, komunitetin profesional dhe organizatat qytetare dhe do të vazhdojë të japë përgjigje konkrete brenda kompetencave të saj.
