Berlin, 11 qershor, Zhurnal.mk – Kancelari gjerman Friedrich Merz ka premtuar vazhdimin e mbështetjes së Berlinit për Ukrainën në përballjen me Rusinë, gjatë një fjalimi të rëndësishëm në Bundestag, Dhoma e Ulët e parlamentit gjerman.
”Objektivi mbetet arritja e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme, “që merr parasysh edhe interesat tona të sigurisë”, deklaroi sot Merz.
”Gjermania mbështet përpjekjet e Kievit për të siguruar paqen”, theksoi ai.
“E bëmë dje, e bëjmë sot dhe do ta bëjmë edhe nesër, për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, shtoi Merz.
Për t’iu kundërvënë asaj që e quajti “gatishmëri të dukshme të Rusisë për përshkallëzim”, Gjermania po forcon krahun lindor të NATO-s, ndërsa njëkohësisht mbështet përpjekjet për arritjen e një zgjidhjeje të negociuar.
“Një paqe e qëndrueshme mund të arrihet vetëm përmes negociatave ku përfshihen Ukraina, Rusia, SHBA-ja dhe Evropa nuk ka rrugë tjetër”, tha ai.
Sipas Merz, Ukraina po mbron jo vetëm lirinë e saj, por edhe lirinë dhe sigurinë e të gjithë Evropës. Ai shtoi se Ukraina i përket Evropës dhe, në afat më të gjatë, edhe Bashkimit Evropian.
Kancelari sulmoi gjithashtu partinë e ekstremit të djathtë Alternative për Gjermanin (AfD) për qëndrimin e saj ndaj luftës, duke iu referuar vizitave të deputetëve të kësaj force politike në Rusi gjatë javëve të fundit.
“Ju qeshni me fatin e miliona njerëzve në këtë vend dhe udhëtoni në Moskë për pritjet tuaja me shampanjë. Udhëtim të mbarë”, deklaroi Merz.
