Mexhiti: Nis projekti më i madh në Çarshinë e Vjetër pas 50 vitesh

Nga B.M
377 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 14 prill, Zhurnal.mk – Sot në terren, kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, shënoi nisjen e punimeve për rikonstruimin dhe transformimin e Çarshisë së Vjetër, një ndër ndërhyrjet më të rëndësishme infrastrukturore në këtë zonë historike në dekadat e fundit.

Sipas Mexhitit, projekti përfshin një rikonstruksion të thellë në një sipërfaqe prej 1.567 metrash katrorë, duke synuar modernizimin e plotë të infrastrukturës dhe ruajtjen e identitetit autentik të Çarshisë. Në kuadër të punimeve do të realizohet rrjet i ri i ujësjellësit dhe kanalizimit, instalim i rrjetit modern elektrik dhe vendosje e fibrës optike.

Një element i veçantë i projektit është rikthimi i pamjes tradicionale përmes përdorimit të gurit travertin dhe ndriçimit karakteristik, duke respektuar trashëgiminë kulturore të zonës.

Investimi kap vlerën prej rreth 29 milionë denarësh dhe përfshin edhe rindërtimin e rrugëve përreth, me qëllim trajtimin e Çarshisë si një tërësi funksionale dhe të integruar.

“Pas më shumë se 50 vjetësh, ky është projekti më i madh i këtij lloji. Është një hap i rëndësishëm drejt zhvillimit ekonomik, rritjes së aktivitetit dhe rikthimit të jetës në këtë zonë,” theksoi Mexhiti.

Ai shtoi se transformimi i Çarshisë do të sjellë një dimension të ri zhvillimi, duke zëvendësuar simbolikisht zhurmën e dikurshme të zejtarëve me “jehonën e zhvillimit dhe investimeve”.

Sipas tij, Komuna e Çairit po vazhdon me projekte të mëdha dhe investime të drejtpërdrejta që synojnë përmirësimin e cilësisë së jetës për qytetarët.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër