Mexhiti u bën thirrje shqiptarëve të Luginës të votojnë më 25 tetor: Bashkimi politik është i rëndësishëm për të ardhmen

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Shkup, 24 tetor Zhurnal.mk – Bashkëkryetari i VLEN-it dhe kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, u ka bërë thirrje shqiptarëve të Luginës së Preshevës që të marrin pjesë në zgjedhjet e 25 tetorit dhe të shprehin lirshëm vullnetin e tyre demokratik.

Në një mesazh drejtuar qytetarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, Mexhiti thekson rëndësinë e përfaqësimit politik dhe institucional të shqiptarëve, duke vënë në pah sfidat me të cilat ata përballen, nga respektimi i të drejtave kombëtare dhe përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe, deri te arsimi, punësimi dhe zhvillimi ekonomik.

Ai e vlerëson bashkimin e subjekteve politike shqiptare në një listë të përbashkët si një zhvillim të rëndësishëm, duke theksuar se, përtej dallimeve politike, ekzistojnë interesa të përbashkëta që kërkojnë koordinim dhe angazhim institucional.

“Përtej kufijve shtetërorë, sfidat e shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës janë shqetësime që na bashkojnë”, thekson Mexhiti në mesazhin e tij.

Duke iu referuar përvojës së shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, ai nënvizon se avancimi i të drejtave kombëtare kërkon përkushtim të vazhdueshëm, përgjegjësi politike dhe institucione që garantojnë barazi për të gjithë qytetarët.

Mexhiti u ka bërë thirrje edhe shqiptarëve të Luginës që jetojnë në Maqedoninë e Veriut, në diasporë dhe në vende të tjera, që të marrin pjesë në procesin zgjedhor, duke theksuar se largësia nga vendlindja nuk e zbeh lidhjen me të dhe përgjegjësinë për të ardhmen e saj.

“U bëj thirrje të gjithë qytetarëve me të drejtë vote që nesër, më 25 tetor, të marrin pjesë në procesin zgjedhor dhe ta shprehin lirshëm vullnetin e tyre demokratik”, thuhet në mesazhin e Mexhitit.

Në fund, ai thekson se respektimi i të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës duhet të mbetet përgjegjësi e vazhdueshme institucionale, në përputhje me parimet e barazisë, dinjitetit njerëzor dhe demokracisë.

https://www.facebook.com/izetmexhiti/posts/pfbid0JfhmMQ2gFawwHRzSZX8gJKph6GkNUAaKzyayZjBkYRnTegkrCEdyZFCwmLDHSyKql

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër