Mickoski: Të martën do të bëhen të ditura ndryshimet kadrovike në Qeveri

Nga D. V.
1,201 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 26 qershor, Zhurnal.mk – Kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi se të martën e javës së ardhshme do të mbahet mbledhja e Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së, pas së cilës do të bëhen të ditura zgjidhjet kadrovike dhe ndryshimet e resorëve në kuadër të rikonstruimit të paralajmëruar të Qeverisë.

Duke folur në emisionin “Studio e Hapur” në RTVM, Mickoski theksoi se rikonstruimi nuk motivohet vetëm nga rezultatet e deritanishme të ministrave, por edhe nga nevoja për ripërcaktimin e prioriteteve të partnerëve të koalicionit qeveritar.

“Nuk janë të rëndësishme vetëm rezultatet – nëse kanë qenë të mira, jo mjaftueshëm të mira apo nuk kanë ekzistuar fare. Ndonjëherë rikonstruimi bëhet sepse ndryshojnë prioritetet. Ajo që ishte e rëndësishme para dy vitesh, sot ka një formë tjetër dhe kërkon një qasje ndryshe”, tha kryeministri.

Ai theksoi se partnerët e koalicionit kanë prioritetet e tyre në fusha të caktuara dhe pikërisht për këtë arsye do të ketë ndryshime në ndarjen e resorëve. Sipas tij, ende nuk është vendosur nëse rikonstruimi do të përfshijë një të tretën e pozicioneve qeveritare apo numri i ndryshimeve do të jetë edhe më i madh.

Mickoski nuk zbuloi emra konkretë apo resorë që do të jenë pjesë e ndryshimeve, duke theksuar se bëhet fjalë për vendime politike që fillimisht duhet të merren në nivel partiak.

“Së pari duhet të mbahet mbledhja e Komitetit Ekzekutiv, e më pas do t’i bëjmë të ditura emrat dhe resorët. Në thelb bëhet fjalë për ndryshim të portofoleve dhe harmonizim me prioritetet e reja të partnerëve qeveritarë”, deklaroi ai.

Duke iu referuar mandatit dyvjeçar të Qeverisë, kryeministri vlerësoi se gjendja në vend sot është dukshëm më e mirë krahasuar me atë që e gjetën kur morën pushtetin.

“E dinim se gjendja ishte e vështirë, por ajo që gjetëm ishte shumë më e keqe nga sa prisnim. Nëse dikush ka nisur nga zero, ne kemi nisur nga një minus i thellë. Sot mund të them se institucionet janë konsoliduar dhe të gatshme për të ecur më shpejt përpara”, theksoi Mickoski.

Ai shprehu bindjen se përbërja e rikonstruuar e Qeverisë do ta marrë mbështetjen në Kuvend dhe do ta realizojë me sukses mandatin, me fokus në përmbushjen e obligimeve të marra para qytetarëve.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër