Mijëra miq virtualë, pak lidhje reale, “epidemia e vetmisë”, sfida e epokës digjitale

Nga Xh M
675 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 2 gusht Zhurnal.mk – Teknologjia ka lehtësuar mënyrën se si lidhemi me njëri tjetrin, por kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht më shumë afërsi mes njerëzve. Gjithnjë e më shpesh ne ndjehemi më vetëm se kurrë.

Mesazhet, rrjetet sociale dhe videot na mbajnë vazhdimisht të informuar për gjithçka që ndodh në kohë reale, por a po zëvendësojnë ato marrëdhëniet e vërteta njerëzore. Psikologët thonë se në një kohë kur jemi kaq shumë të lidhur, në fakt ne jemi në kohën e epidemisë së vetmisë. Sot të gjithë jemi të rrezikuar e më të rrezikuarit duken se janë të rinjët, për shkak që kanë mundësi më të lartë për të qenë viktimë.

“Ka momente kur njeriu mjafton që të ketë dikë afër dhe vetëm ta kthejë kokën dhe ta shohë. Por, në këtë moment, e vetmja gjë që sheh janë aparaturat digjitale dhe, normalisht, kjo ndjesi nuk është e këndshme dhe çon në izolim dhe në ndjesinë e vetmisë. Sado që të jemi të futur në botën virtuale, të kemi miqësi apo të kalojmë tërë kohën, ajo është një realitet virtual, nuk është një realitet i vërtetë. Por të rinjtë, besoj, adoleshentët dhe fëmijët janë më të rrezikuarit. Kanë mundësi më të larta për të qenë viktima të këtij fenomeni”, deklaroi psikologja Fatime Ziberi.

Gjetja e ekuilibrit mes komunikimit online dhe marrëdhënieve reale vazhdon të mbetet sfidë për shumë njerëz. Ekspertët theksojnë se kontakti i drejtpërdrejtë, mbështetja emocionale dhe lidhjet e sinqerta njerëzore mbeten faktorët kryesorë për mirëqenien psikologjike.

“Në momente të vështira, le të themi, kur njeriu ka nevojë për atë grumbull shoqërie që e ka në internet dhe në rrjetet sociale, nuk mund ta gjejë fizikisht. Është normale që çdo njeri të ketë nevojë pak për një vetmi, për shkak që vetmia, në momente të caktuara, ndihmon shumë në reflektim, ndihmon shumë në qartësimin e disa ideve, mendimeve që njerëzit mund t’i kenë. Por, nëse kjo situatë zgjat më tepër se dy ose tre javë, atëherë është shqetësuese, për shkak që kjo çon në çrregullime më të rënda psikologjike. Merr këtu ankthin, atak paniku, por edhe, në raste ekstreme, ide iracionale, ide suicidale, depresion, etj.. Dëshira për të qenë vetëm është momentale, është afatshkurtër. Çdokush mund të thotë më lër rehat për pesë minuta, për një gjysmë ore apo për një orë, por kjo është e shkurtër, është afatshkurtër. Vetmia është më e gjatë. Vetmia të mban më gjatë, pavarësisht asaj që personi tenton të dalë, personi tenton ta motivojë veten apo, të themi, të jetë autosugjestiv, t’i japë diçka, punë vetes, që mos ta ndjejë atë ndjesi. Por këto sekuenca të vogla të dëshirës për të qenë vetëm sjellin deri te ndjesia e vetmisë, që është afatgjatë”, u shpreh Ziberi.

Në një kohë kur gjithçka është vetëm një klikim larg, ne duhet të kërkojmë mikun pranë nesh. Në fund të fundit, nuk është numri i ndjekësve apo i pëlqimeve ai që përcakton sa të lidhur jemi me të tjerët. Teknologjia vazhdon të ndryshojë mënyrën se si komunikojmë, por nuk do të arrijë asnjëherë të zëvendësojë atë që krijon afërsia dhe përqafimi i drejtpërdrejtë njerëzor.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër