Strasburg, 11 korrik Zhurnal.mk – Deputetja e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut nga radhët e VLEN-it, Mimoza Musa, ka përmbyllur pjesëmarrjen në European Union Visitors Programme (EUVP) në Bruksel dhe Strasburg, një program prestigjioz që bashkon përfaqësues politikë dhe liderë të rinj nga vende të ndryshme me institucionet kryesore të Bashkimit Evropian.
Gjatë qëndrimit njëjavor, Musa zhvilloi takime dhe diskutime me eurodeputetë nga grupet kryesore politike në Parlamentin Evropian, përfaqësues të Komisionit Evropian, Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS) dhe drejtues të institucioneve evropiane.
Në fokus të takimeve ishin politika e zgjerimit të BE-së, perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor dhe procesi i integrimit të Maqedonisë së Veriut në familjen evropiane.
“Si deputete e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ishte nder të përfaqësoj vendin tim në një program kaq prestigjioz. Integrimi evropian nuk është vetëm një objektiv politik, por një angazhim i përditshëm për reforma, sundim të ligjit, demokraci dhe mirëqenie për qytetarët tanë”, ka deklaruar Musa.
Në përfundim të programit, deputetja Musa pranoi edhe Certifikatën e Pjesëmarrjes, të cilën e cilësoi si vlerësim dhe përgjegjësi për të vazhduar angazhimin e saj në Kuvend dhe në jetën publike.
Ajo falënderoi organizatorët e EUVP-së për besimin, mikpritjen dhe mundësinë për të qenë pjesë e këtij rrjeti të bashkëpunimit evropian.
“E ardhmja e Maqedonisë së Veriut është në Bashkimin Evropian dhe ne kemi detyrimin ta bëjmë këtë rrugëtim të besueshëm, dinjitoz dhe të pakthyeshëm”, u shpreh deputetja Musa.
https://www.facebook.com/share/p/1CeiYZwwBx/
