Shkup, 25 shtator Zhurnal.mk – Pas një vere të ngarkuar, as vjeshta nuk ka nisur e qetë për mjekët. Mes adoleshentëve po vërehet një përhapje e mononukleozës infektive, ndërsa mjekët tashmë po ndjekin kontaktet dhe mënyrën se si po transmetohet infeksioni.
Disa raste janë evidentuar edhe në ambulancën e doktoreshës Ankica Stanojevska. Sipas saj, të rinjtë shpesh përshëndeten me përqafime dhe puthje, gjë që mund të ndikojë në përhapjen më të shpejtë të virusit.
Mononukleoza infektive zakonisht fillon me temperaturë të lartë, dhimbje fyti dhe lodhje të theksuar. Doktoresha Stanojevska shpjegon se në raste të caktuara infeksioni mund të shkaktojë edhe komplikime serioze, përfshirë probleme me mëlçinë.
Krahas mononukleozës, në ambulanca po paraqiten edhe raste të anginës streptokoksike. Një pjesë e madhe e personave që së fundmi janë kthyer nga pushimet, sipas mjekes, janë kthyer me simptoma të ftohjes.
Megjithatë, ka edhe pacientë me pasqyrë klinike më serioze, ndërsa te disa prej tyre ekziston dyshimi për infeksion me ndonjë variant të koronavirusit.
Mjekët amë presin që në gjysmën e dytë të tetorit të ketë një rritje më intensive të numrit të pacientëve me grip sezonal. Doktoresha Stanojevska shpreson që vaksinat kundër gripit sezonal të mbërrijnë në kohë.
Personat e moshuar tashmë kanë krijuar shprehi që të imunizohen rregullisht kundër gripit sezonal, gjë që, sipas mjekëve, është një nga arsyet pse gjatë periudhës së dimrit ata më rrallë paraqiten në ordinancat e mjekëve amë.
