Muharremi: Manastirliu kandidatja kryesore për Tiranën, Braçe aspirues legjitim

Nga Xh M
258 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 4 prill Zhurnal.mk – I ftuar në “Review” me Greta Topjanën, këshilltari i Partisë Socialiste në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Alfred Muharremi, komentoi kandidaturat e përfolura për Bashkinë e Tiranës.

Muharremi theksoi se Erion Braçe ka një karrierë të jashtëzakonshme si deputet i Partisë Socialiste, duke njohur mirë jetën parlamentare dhe problematikat e qytetarëve, dhe se çdo individ politik ka të drejtë të synojë postin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Ai shtoi se vendimi për kandidatët merret nga organi kolegjial i Asamblesë Kombëtare, e zgjedhur nga mijëra delegatë dhe anëtarësia, dhe aktualisht konfirmimi i kandidates së propozuar është emri i Ogerta Manastirliut.

Muharremi theksoi se Manastirliu ka një profil të provuar, duke udhëhequr Njësinë 9 dhe duke kthyer zonën në një bastion fitues për PS-në në katër mandate ndërsa theksoi rolin e saj si ministre gjatë menaxhimit të situatës nga COVID-19.

“Braçe si deputet i Partisë Socialiste ka një karrierë politike të jashtëzakonshme, ka qenë pothuajse deputet për 30 vite, e njeh mirë jetën parlamentare dhe problematikat e qytetarëve, gjithmonë ka qenë fitues në zonat ku ka qenë i deleguar. Çdo individ politik që aspiron të jetë kryetar bashkie ka të drejtë të kandidojë, por vendimet merret nga organi kolegjial, Asambleja Kombëtare, e zgjedhur nga mijëra delegatë. Sot, kandidatja e propozuar mbetet Ogerta Manastirliu. Manastirliu është një profil i provuar, ka drejtuar Njësinë 9, e ka kthyer në PS fituese në katër mandate, ka udhëhequr ndryshimet në sistemin shëndetësor, ka menaxhuar pandeminë dhe tërmetin, dhe ka mbështetur qytetarët në nevojë. Ky kombinim politik dhe administrativ e bën atë një kandidat të fortë për Bashkinë e Tiranës”, tha ai.

Muharremi shtoi se suksesi i një kandidati duhet të matet jo vetëm me aftësi politike, por edhe me përvojë administrative dhe kapacitet për të menaxhuar shërbimet publike. Ai argumentoi se një kryetar bashkie duhet të jetë një administrator i provuar, i aftë të drejtojë institucionin, të menaxhojë burimet dhe të sigurojë zbatimin e shërbimeve për qytetarët, duke e cilësuar kështu Manastirliun një figurë të fortë për këtë post.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër