Shkup, 25 shtator, Zhurnal.mk – Një ngjarje e rëndë ka tronditur zonën e Padovës në Itali, ku një 51-vjeçar me origjinë shqiptare është gjetur i pajetë brenda një kantieri ndërtimi.Viktima, Altin Kokici, pronar i një kompanie ndërtimi në Sossano të provincës së Vicenzës, dyshohet se ka humbur jetën pas një rënieje aksidentale në hapësirën e ashensorit të një ndërtese ku po kryheshin punime rikonstruksioni.
Alarmi është dhënë nga familjarët e 51-vjeçarit, të cilët kishin humbur kontaktet me të që prej orëve të para të pasdites. Duke përdorur funksionin e gjeolokalizimit të telefonit, ata konstatuan se celulari i tij ndodhej ende në zonën e kantierit.Dyshimet u shtuan edhe më tej pasi pranë objektit u gjet i parkuar furgoni i punës së shqiptarit, me derën e ngarkesës ende të hapur.
Gjatë natës, forcat e policisë së Padovës hynë në kantier dhe tentuan të lokalizonin 51-vjeçarin duke telefonuar në celularin e tij. Ishte pikërisht tingulli i telefonit që i drejtoi efektivët drejt hapësirës së ashensorit, ku ata zbuluan trupin e pajetë të shqiptarit.Në vendngjarje mbërritën edhe ekipet e urgjencës mjekësore dhe zjarrfikësit, por për 51-vjeçarin nuk mund të bëhej më asgjë.
