Poezi nga: Claude McKay
Përktheu: Agron Shala
Nëse duhet të vdesim, të mos vdesim si derra,
Të ndjekur e të mbyllur në një vend pa lavdi,
Teksa rreth nesh lehin qentë e tërbuar e të uritur,
Duke u tallur me fatin tonë të mallkuar.
Nëse duhet të vdesim, oh, le të vdesim me fisnikëri,
Që gjaku ynë i çmuar të mos derdhet
Kot; atëherë edhe përbindëshat që sfidojmë
Do të detyrohen të na nderojnë, ndonëse të vdekur!
O vëllezër! Duhet të përballemi me armikun e përbashkët!
Edhe pse shumë më të paktë në numër, le të tregohemi trima,
Dhe për mijëra goditjet e tyre t’u japim një goditje vdekjeprurëse!
Ç’rëndësi ka që para nesh shtrihet varri i hapur?
Si burra do të përballemi me tufën vrastare e frikacake,
Të ngjeshur pas murit, duke vdekur, por duke kthyer goditjen!
