Nga mos-zbulimi i alarmeve të rrejshme për bomba deri tek regjistrimi elektronik i popullsisë

Nga I.A
608 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 7 prill, Zhurnal.mk – Ministria e Transformimit Dixhital ka propozuar që regjistrimi i ardhshëm i popullsisë në vitin 2030 të kryhet në mënyrë elektronike. Kjo ide siç thotë kjo ministri synon që të lehtësojë procesin, ta bëjë më efikas dhe të përputhet me standardet e EUROSTAT-it, duke shmangur politizimin e panevojshëm të një procedure statistikore.

Por, pyetja që shtrohet është sa ka kushte dhe mjete dixhitale vendi ynë për ta realizuar dhe garantuar sigurinë e një procesi të tillë në formë elektronike. Nuk duhet të harrojmë se vendi ynë përgjatë kohe përballet me kërcënime të vazhdueshme nga alarme për bomba të rrejshme në shkolla dhe akoma aktorët e këtij akti nuk janë zbuluar, shkruan Zhurnal.mk.


Ideja e regjistrimit elektronik


“Angazhimi ynë politik është që në vitin 2026 të jemi të gatshëm dhe me urdhër të Entit Shtetëror të Statistikës, atëherë kur duhet, kur do të miratohet ligji të zbatojmë regjistrim elektronik”, deklaroi ministri i Transformimit Digjital, Stefan Anonovski.


“Është e qartë, u tha edhe në programin e Qeverisë dhe në programin e partisë, se në vitin 2026 duhet të punohet për këtë, por ne e dimë që rregullat e Eurostatit që kjo ndodh çdo 10 vjet, që do të thotë se gjatë kësaj periudhe duhet të punojmë në të gjitha regjistrat, në ndërveprimin e të dhënave, në mënyrë që të jemi të gatshëm ta bëjmë. Kemi kohë nga sot deri në afatin e fundit për kryerjen e atij regjistrimi, për të testuar fazat, natyrisht nën udhëheqjen e Entit Shtetëror të Statistikës, dhe jemi të sigurt se kur të vijë regjistrimi, do t’u besojmë si rezultateve ashtu edhe metodologjisë në bazë të së cilës do të kryhet”, deklaroi Andonovski.


Kur do të ndodhë regjistrimi i radhës?


Drejtori i Entit Shtetëror të Statistikës, Dejan Stankov, thotë se regjistrimi i ardhshëm i popullsisë është planifikuar të zbatohet rreth vitit 2030, dhe thekson se qëllimi është që regjistrimi i ardhshëm i popullsisë të zbatohet në mënyrë elektronike, gjegjësisht me shfrytëzim të burimeve administrative.


Alarmet e rrejshme për bomba në shkolla e sulmet në sisteme interneti
Realiteti i përditshëm në Maqedoninë e Veriut ngritë pikëpyetje serioze mbi besueshmërinë e sistemeve digjitale. Për javë të tëra, e me vite të tëra, nxënësit janë përballur me alarme të rrejshme për bomba, duke humbur mësimin dhe duke jetuar në pasiguri. Organet e rendit nuk kanë arritur të zbulojnë autorët e këtyre kërcënimeve, gjë që ka lënë një hije dyshimi mbi aftësinë e institucioneve për të garantuar siguri në hapësirat publike.


Por, natyrisht edhe pamundësia e identifikimit të këtyre paralajmërimeve të cilat dërgoheshin përmes e-mail (adresave elektronike).


Tani një sistem i tillë digjital që nuk mund të sigurojë garancë për nxënësit a mund të sigurojë besueshmëri për një proces kaq të rëndësishëm siç është regjistrimi i popullsisë?
Kujtojmë që, vetëm vitin 2025 pati mbi 300 kërcënime me bomba, kërcënime nëpër shkollat e Maqedonisë së Veriut ka pasur vazhdimisht nga viti 2022 e këndej, por që rezultonin të rrejshme.
Këtu qëndron dilema kryesore teknologjia ofron efikasitet, por gjithashtu hap derën për rreziqe të reja. Në një kohë kur çdo faqe interneti mund të hakohet, besueshmëria e regjistrimit elektronik nuk varet vetëm nga softueri apo pajisjet, por nga aftësia e institucioneve për të mbrojtur të dhënat dhe për të garantuar siguri kibernetike.


Nëse nuk arrihet të zbulohet kush qëndron pas alarmeve të rrejshme për bomba, si mund të kemi garanci se një regjistrim elektronik nuk do të manipulohet?


Sqarojmë se, regjistrimi i popullsisë është një procedurë statistikore jetike për politikat publike dhe zhvillimin ekonomik. Prandaj, duhet të kryhet me besueshmëri absolute pavarësisht formës fizike apo elektronike.


Kur me kapacitetet e tashme teknologjike të ministrisë së brendshme nuk arrihet që të identifikohen dërguesit e këtyre kërcënimeve, si do të mund të garantohej mbrojtja e grumbullimit dixhital të të dhënave të regjistrimit dixhital të regjistrimit të popullësisë?


Sulmet e mundshme në bazën e të dhënave

Si do të bllokoheshin tentimet për të sulmuar bazën e të dhënave të këtij regjistrimi për manipulim të rezultateve reale ?
Si do të garantohet bllokimi i ndërhyrjeve në sistemin e të dhënave për të mos ndryshuar e manipuluar rezultatet?
Çka nëse do të ketë ndërhyrje në këto të dhëna për të ndryshuar të dhënat reale e faktike nëse ato ose manipulohen ose fshihen krejtësisht?
Cila janë mënyrat për të ruajtur të dhënat e rikthyer e përdorë ato nëse do të ketë sulm në bazën e të dhënave të grumbulluara?
Përgjegjet duhet kërkuar nga profesionistët programues.
Në tërë këtë proces, a do të ketë një trup të pavarur i cili do të kontrollonte grumbullimin e të dhënave e për të monitoruar tërë procesin gjatë tërë procesit të regjistrimit e pastaj krahasuar me rezultatet e publikuara zyrtarisht?
Krejt këto përgjegje duhet grumbulluar dhe shndërruar në ligj të ri.


Për Maqedoninë e Veriut, sfida nuk është vetëm teknologjike por edhe institucionale të tregojë se mund të mbrojë qytetarët nga kërcënimet e rrejshme dhe të garantojë siguri në proceset më të ndjeshme siç është çështja e regjistrimit të popullsisë, proces i cili në vendin tonë koha ka dëshmuar që nuk është vetëm statistikor.


Vetëm atëherë regjistrimi elektronik i vitit 2030 mund të shihet si një hap përpara, jo si një rrezik i ri për keqpërdorim e ndryshim eventual apo përshtatje e numrave sipas preferencave politike e partiake. /Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër