Referendumi për hyrje në BE në mes kërkesës, refuzimit dhe dështimit!

Nga I.A
282 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 28 maj, Zhurnal.mk –  LSDM kërkoi referendum për hyrjen në BE ndërkaq VMRO e refuzoi këtë kërkesë. Por, çfarë tregon referendumi i fundit? Pse dështoi? Pse nuk u arrit dalja e nevojshme e paraparë me Ligj që ky referendum të jetë i plotfuqishëm juridikisht? Nëse referendumi i vitit 2018 ka dështuar në qeverisjen e LSDM-së pse e njëjta parti propozon referendum tjetër për të njëjtën çështje? Referendumet në teori dhe praktikë janë aktet më demokratike pas zgjedhjeve ku fuqia vendimmarrëse i jepet popullit, shkruan Zhurnal.

LSDM kërkoi referendum për anëtarësimin e vendit në BE

Opozita kërkon që vendimi për rrugën evropiane të vendit t’u kthehet qytetarëve përmes referendumit. Kryetari i Venko Filipçe deklaroi se Qeveria duhet të marrë përgjegjësi për premtimet e bëra lidhur me integrimin në Bashkimin Evropian dhe t’i lejojë qytetarët të shprehin qëndrimin e tyre.

Sipas Filipçes, Qeveria kishte premtuar kushte më të mira dhe më dinjitoze në procesin e integrimit evropian, por sipas tij, këto premtime nuk janë realizuar.

“Le të shpallë Qeveria referendum, sepse ata mbajnë të gjithë përgjegjësinë për rrugën drejt BE-së. Qytetarët duhet të tregojnë qëndrimin dhe përgjigjen e vërtetë. Qeveria premtonte hyrje në Evropë me kushte ndryshe, më të mira, më krenare. Gënjyen ashtu siç gënjejnë për çdo gjë. Qytetarët duhet të vendosin”, deklaroi Filipçe.

Ai shtoi se forma dhe pyetja e referendumit mund të diskutohen, por theksoi se vendimi final duhet t’i takojë popullit.

Qeveria refuzon referendumin

Qeveria e refuzoi propozimin e kryetarit të LSDM-së, Venko Filipçe, për organizimin e një referendumi për integrimin në Bashkimin Evropian.

“Të mos harxhojmë kohë dhe para të qytetarëve. Ne jemi për BE-në dhe kjo është orientimi ynë strategjik, të cilin po e dëshmojmë me vepra. Heqja e misionit vlerësues nga Këshilli i BE-së dhe hapja e fondeve nga agjenda reformuese për Maqedoninë janë tregues i qartë i orientimit evropian të kësaj qeverie”, thanë nga Qeveria në pres për media.

Pak kontekst mbi referendumin e fundit

Referendumi i fundit në Maqedoninë e Veriut u mbajt më 30 shtator 2018 dhe lidhej me marrëveshjen e emrit me Greqinë. Pyetja që iu parashtrua qytetarëve ishte:

“A jeni për anëtarësim në BE dhe NATO duke pranuar marrëveshjen mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë?”

Rezultatet përfundimtare ishin kësisoj:  Pro: mbi 91% e votuesve që morën pjesë ishin për. Kundër: rreth 6%. Por, problemi ishte te pjesëmarrja vetëm 36.9% e trupit votues morën pjesë në referendum, nën pragun e 50% që e bënte referendumin jo të detyrueshëm juridikisht.

Por, si pasojë e daljes së ulët të qytetarëve referendumi nuk pati efekt juridik. Megjithatë, Kuvendi miratoi marrëveshjen e Prespës, duke sjellë ndryshimin e emrit nga Maqedonia në Republika e Maqedonisë së Veriut. Ky hap hapi rrugën për anëtarësimin në NATO (mars 2020) dhe avancimin e procesit të integrimit në BE.

Kujtojmë që, ky referendum mbetet një moment kyç i historisë politike të vendit, shpesh i përmendur për kontrastin mes mbështetjes së lartë të atyre që votuan dhe bojkotit masiv që e bëri të pavlefshëm juridikisht referendumin.

Prandaj, nëse në qeverisjen e LSDM-së ka dështuar një referendum që pothuajse lidhet për çështjen e njëjtë, pse sërish nga po kjo parti propozohet e njëjta ide që nuk kishte rezultuar e suksesshme në praktikë? LSDM si pari opozitare maqedonase po kalon ditët e saj më të vështira në skenën politike. /Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër