Shkup, 13 qershor Zhurnal.mk – Pajisja e djegur ndriçuese dhe pllakat e plasaritura rreth ormareve të rrymës ende qëndrojnë dhe dëshmojnë për zjarrin që shpërtheu dje në orët e hershme të mëngjesit në lagjen Kisella Voda. Në afërsi ka edhe ndërtesa të reja banimi në të cilat tashmë jetojnë banorë, si dhe një kantier ndërtimi ku po ndërtohen ndërtesa të reja.
Nga Elektrodistribucioni i kanë zëvendësuar ormarët e dëmtuar të rrymës, por mbi to, në strukturën metalike, ende varet pajisja ndriçuese e dëmtuar që nuk është hequr. Menjëherë poshtë saj ndodhet një kënd lojërash për fëmijë, ku çdo ditë qëndrojnë më të vegjlit. Qytetarët thonë se nuk ndihen të sigurt dhe kërkojnë masa më të rrepta dhe kontroll më të madh për të parandaluar incidente të tilla.
“Ka qenë e frikshme dhe e papranueshme. Duhet të punohet në shumë gjëra. Kur ndërtohet një objekt, së pari duhet të rrethohet zona, e pastaj pasi të përfundojë ai objekt të fillohet ndërtimi i tjetrit. Këtu në këtë vend ne tashmë prej tre vitesh po thithim pluhur. Siç mund ta shihni vetë, kur fryn erë ngrihet shumë pluhur. Në përgjithësi duhet të ketë më shumë siguri për të gjithë rreth kantierëve të ndërtimit”, thotë një e anketuar.
“A është e sigurt apo jo, sinqerisht nuk e di, sepse e dimë si ndërtohen objektet, veçanërisht ndërtesat e reja – gjithçka është bërë me punë të dobët. Kam banesë këtu, por nuk isha gjatë zjarrit. E pashë ngjarjen në internet. Mendoj se nëse vazhdon kështu, nuk është aspak e sigurt. Fatkeqësisht, duhet të ndodhë diçka e tillë që institucionet të reagojnë dhe të rregullojnë gjërat siç duhet”, deklaroi një tjetër banor.
Edhe profesori i Fakultetit të Ndërtimtarisë, Goran Markovski, paralajmëron se kantieret shpesh krijojnë probleme serioze për banorët përreth, duke filluar nga zhurma dhe pluhuri, deri te rrezikimi i sigurisë dhe funksionimit normal të hapësirës publike.
“Zhurmë e madhe, punë edhe në ditë jo pune, papastërti gjatë vendosjes së tualeteve në hapësira publike, mbyllje e trotuareve, pamundësim i qarkullimit normal të trafikut, ndotje e ajrit me pluhur dhe papastërti të tjera”, tha Goran Markovski, profesor i Fakultetit të Ndërtimtarisë.
Dje, pak para orës gjashtë të mëngjesit, banorët e ndërtesave përreth në bulevardin “Boris Trajkovski” kanë dëgjuar një zhurmë të fortë, pas së cilës kanë vërejtur tym dhe një shpërthim. Gjatë ditës, ekipet e EVN-së e kanë sanuar defektin, ndërsa banorët kanë marrë sërish energji elektrike në mbrëmje.
Por ky nuk është rasti i vetëm. Së fundmi, në një kantier në bulevardin “Teodosij Gologanov”, pranë Kishës Katolike, ndodhi një rrëshqitje dheu gjatë gërmimeve për një ndërtesë të re banimi. U dëmtuan trotuari, rruga dhe një pjesë e infrastrukturës, pas së cilës shërbimet inspektuese kryen kontroll dhe paralajmëruan masa ndaj investitorit.
Një muaj më parë, në Kisella Voda, gjatë gërmimeve për themelet e një ndërtese të re, ndodhi shembje dheu ku u zunë nën dhe katër punëtorë ndërtimi. Njëri prej tyre humbi jetën. Të gjitha këto incidente shtrojnë pyetjen nëse standardet e sigurisë në kantieret e ndërtimit respektohen mjaftueshëm dhe nëse mbikëqyrja është në nivelin e duhur.
