Shkup, 6 nëntor – Fuqimisht jemi të përkushtuar në ndërtimin dhe modernizimin e Korridorit 8, një nga korridoret më të rëndësishme të transportit transevropian me rëndësi strategjike, ekonomike dhe gjeopolitike për të gjithë Ballkanin dhe të gjithë Evropën, porositi sot zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit Aleksandar Nikolloski, pasi me homologun e tij bullgar Grozdan Karaxhov e nënshkruan Marrëveshjen për tunelin hekurudhor ndërkufitar në Korridorin 8, në stacionin hekurudhor të Gjueshevës, përcjell “AIM”.
“Marrëveshja është ëndërr e gjeneratave në të dyja anët e kufirit, diçka për të cilën kemi lexuar, diçka që na është mësuar kur ishim fëmijë se të dy shtetet, dy kryeqytetet, Sofja dhe Shkupi, duhet të lidhen me një lidhje hekurudhore”, tha zv. kryeministri Nikolloski, duke theksuar punën e palodhur dhe përkushtimin për realizimin e projektit.
Sipas Karaxhovit, kjo ditë është jashtëzakonisht e rëndësishme sepse, theksoi, po përmbushim një ëndërr të shumë gjeneratave.
“Po hapim, po rinovojmë një hekurudhë që është më shumë se 100 vjeçare. Patëm nderin me Nikollovskin ta realizonim këtë projekt”, tha Karaxhovi, i cili mbërriti në këtë ngjarje me tren nga Qustendilli.
Valentina Superti, drejtoreshë e Drejtorisë për Ballkanin Perëndimor të KE-së porositi se marrëveshja është shumë e rëndësishme për të dy shtetet, por edhe për të gjithë rajonin. “BE-ja mbështet bashkëpunimin midis dy vendeve dhe siguron fonde për implementimin e projektit. Ndërtimi i tunelit do të sjellë përfitime sociale dhe ekonomike për rajonin”, tha Superti.
Marrëveshja për përgatitjen, ndërtimin dhe funksionimin e tunelit – një pikë ndërkufitare e dy shteteve në Korridorin 8 për lidhjen direkte hekurudhore Shkup dhe Sofje, u nënshkrua në prani të përfaqësuesve të Komisionit Evropian, NATO-s, SHBA-së, Bankës Evropiane Investuese, Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Bankës Botërore. Në ceremoni mori pjesë edhe ambasadorja e SHBA-së Angela Aggeler. Gjatësia e projektuar e tunelit është rreth 2.4 kilometra, 1.189,30 metra në territorin e Maqedonisë dhe 1.193,70 metra në territorin e Bullgarisë.
