Nikoloski: Janë investuar 25.3 milionë euro për rikonstruksionin e rrugëve lokale në 72 komuna

Nga D. V.
530 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 5 qershor, Zhurnal.mk – Në dy vitet e fundit janë lidhur kontrata në vlerë prej 25.3 milionë eurosh për rikonstruksionin e rrugëve lokale nëpër komuna, ndërsa janë rehabilituar ose janë në proces ndërtimi mbi 100 kilometra rrugë, bëri të ditur sot zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikoloski.

Duke prezantuar rezultatet e projektit për rrugët lokale, Nikoloski tha se në periudhën nga qershori i vitit 2024 deri në qershor të vitit 2026 janë realizuar investime të konsiderueshme në infrastrukturën rrugore lokale në bashkëpunim me BNJKLV-në (ZELS) dhe Bankën Botërore.

“Sot do të flasim për projektin e rrugëve lokale, në të cilin për dy vite, në periudhën nga qershori i vitit 2024 deri në qershor të vitit 2026, janë lidhur kontrata në vlerë prej 25.3 milionë eurosh për rikonstruksionin e rrugëve lokale nëpër komuna. Janë rehabilituar 96 rrugë në 72 komuna, me një gjatësi totale prej 72 kilometrash, ndërsa në fazë rikonstruksioni janë edhe 31 kilometra rrugë të tjera”, deklaroi Nikoloski.

Ai theksoi se gjithsej rreth 103 kilometra rrugë janë rehabilituar, janë ndërtuar nga e para ose ndodhen aktualisht në proces ndërtimi.

Ministri i Transportit paralajmëroi gjithashtu fillimin e një projekti të ri për përmirësimin e higjienës komunale, duke e cilësuar atë si mbështetjen më të madhe të realizuar deri më tani në këtë fushë.

“Po blihen 49 automjete të llojeve të ndryshme, të cilat duhet të ndihmojnë Qytetin e Shkupit dhe komunat e tjera për përmirësimin e gjendjes me higjienën”, tha Nikoloski.

Sipas tij, vlera e përgjithshme e automjeteve që do të vihen në dispozicion të komunave arrin në 4.2 milionë euro. Projekti synon të përmirësojë kapacitetet komunale për mirëmbajtjen e pastërtisë publike dhe ofrimin e shërbimeve më efikase për qytetarët./Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër