Shkup, 30 gusht Zhurnal.mk – Mungesa e unitetit brenda vendit është hendikepi dhe pengesa më e madhe për procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, ndërsa mesazhet që vijnë nga Sofja zyrtare vetëm sa i përshkallëzojnë tensionet, të cilat partitë vendase i përdorin për pikë politike dhe e mbajnë vendin në izolim. Kështu deklaroi ish-ambasadori Risto Nikovski në një intervistë për TV 24, duke komentuar zhvillimet e fundit lidhur me procesin eurointegrues të vendit.
Duke folur për paralajmërimet e eurokomisares Marta Kos për metodologjinë e re të zgjerimit të Bashkimit Evropian, Nikovski tha se nuk është optimist se ajo do të sjellë rezultate pozitive për vendin.
Sipas tij, pushteti aktual duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje Protokollit të dytë, për të cilin thotë se është veçanërisht në interes të autoriteteve në Sofjen zyrtare.
Duke u ndalur te zhvillimet në planin e brendshëm politik dhe te çështja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, Nikovski nuk e përjashton mundësinë që ato të bëhen realitet.
Siç theksoi ai, në këtë moment VMRO-DPMNE-së në pushtet mund t’i përshtaten zgjedhjet e reja, por mbetet pyetja se çfarë do të ndryshonin ato për shtetin, në një situatë kur, sipas tij, pjesa më e madhe e partive politike nuk kanë arritur të piqen sa i përket interesave shtetërore dhe kombëtare.
Çështja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare u bë veçanërisht aktuale ditët e fundit, pasi LSDM-ja akuzoi se ekziston një marrëveshje e brendshme mes VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së për të krijuar një skenar për zgjedhje të parakohshme parlamentare, me qëllim që partia e Ali Ahmetit të rikthehet në pushtet dhe të hyjë sërish në Qeveri.
Nga BDI-ja, nga ana tjetër, iu përgjigjën LSDM-së që, nëse kanë prova për një skenar të tillë, t’i bëjnë ato publike.
Në të njëjtën kohë, integristët paralajmëruan edhe një skenar për bllokimin e të gjitha ligjeve në Kuvend për të cilat konsiderojnë se janë në kundërshtim me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit.
Në këtë mënyrë, debati politik në vend po zhvillohet paralelisht në disa fronte – nga integrimi evropian dhe marrëdhëniet me Bullgarinë, te mundësia e zgjedhjeve të parakohshme dhe përplasjet mes partive politike. Sipas Nikovskit, pa një konsensus më të gjerë për interesat shtetërore dhe kombëtare, rruga drejt BE-së do të vazhdojë të përballet me pengesa të mëdha.
