Nis sot në Tiranë takimi i 22-të i KPSA BE-Shqipëri, në fokus integrimi europian dhe reformat

Nga D V
23 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 21 shtator, Zhurnal.mk – Nis sot në Tiranë takimi i 22-të i Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit (KPSA) BE-Shqipëri, i cili do të vijojë edhe gjatë ditës së martë, datë 22 shtator.

Punimet e takimit do të nisin në orën 10:00 dhe do të drejtohen nga bashkëkryetarët e delegacioneve, Taulant Balla, në cilësinë e kreut të delegacionit të Kuvendit të Shqipërisë, dhe Marco Tarquinio, kreu i delegacionit të Parlamentit Evropian. Takimi do të përshëndetet edhe nga Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi.

Në takimin dyditor do të marrin pjesë edhe eurodeputetët e grupit të Konservatorëve dhe Reformistëve Evropianë (ECR), Chiara Gemma dhe Cristian Terheș. Gemma është nënkryetare e delegacionit të Parlamentit Evropian për Komitetin Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri.

Takimi i KPSA-së zhvillohet në kuadër të mekanizmit të bashkëpunimit parlamentar mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian dhe vjen pas mbledhjes së 21-të, e cila u zhvillua më 8-9 korrik në Strasburg. Sipas Parlamentit Evropian, në axhendën e takimeve të KPSA-së përfshihen çështje të lidhura me procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, shtetin e së drejtës, të drejtat themelore, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, liritë e medias, zhvillimin e qëndrueshëm dhe bashkëpunimin rajonal.

Në fokus të takimit të këtij viti pritet të jetë edhe ecuria e negociatave të anëtarësimit. Grupi ECR, në njoftimin për pjesëmarrjen e eurodeputetëve të tij, vlerëson se Shqipëria ka hapur të gjashtë grup-kapitujt negociues dhe e konsideron vendin një partner të rëndësishëm për sigurinë dhe stabilitetin rajonal, edhe në kuadër të anëtarësimit në NATO.

Në të njëjtin njoftim theksohet rëndësia e zbatimit efektiv të reformave, forcimit të shtetit të së drejtës, zbatimit të legjislacionit të miratuar dhe reduktimit të polarizimit politik. ECR e lidh ecurinë e mëtejshme të procesit të anëtarësimit me cilësinë dhe zbatimin konkret të reformave.

KPSA BE-Shqipëri zhvillon dy takime në vit, një në Shqipëri dhe një në Parlamentin Evropian, në Bruksel ose Strasburg. Takimi i 22-të zhvillohet më 21 dhe 22 shtator në Tiranë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër