Shkup, 7 gusht, Zhurnal.mk – Një turist i ri nga Maqedonia ka pësuar lëndime të rënda në vertebrat e qafës gjatë qëndrimit në Kuşadasë, Turqi. Ai nesër do të transportohet në vend me avion qeveritar.
“Ministria e Shëndetësisë informon se është siguruar transport urgjent mjekësor për një pacient të ri nga Maqedonia, i cili ka pësuar lëndime të rënda në vertebrat e qafës gjatë qëndrimit në Kuşadasë, Republika e Turqisë. Pas një procedure të shpejtë dhe në koordinim me Qeverinë, Fondin për Sigurim Shëndetësor dhe Shërbimin për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta (SOPP), është siguruar avion qeveritar me të cilin pacienti nesër do të transportohet në vend”, njoftoi Ministria.
Gjatë transportit, pacienti do të shoqërohet nga një ekip mjekësor i specializuar nga Klinika Universitare për Traumatologji, Sëmundje Ortopedike, Anestezi, Reanimacion, Trajtim Intensiv dhe Qendër Urgjence (TOARILUC), duke siguruar, siç thotë Ministria, të gjitha kushtet e nevojshme për transport të sigurt mjekësor.
“Pas mbërritjes në Shkup, pacienti do të merret në dorëzim nga ekipi i kirurgjisë spinale të Klinikës, ku menjëherë do të hospitalizohet dhe do t’i sigurohet trajtim specialistik i mëtejshëm, kujdes mjekësor dhe rehabilitim i përshtatshëm. Kujdesi për shëndetin dhe sigurinë e çdo pacienti mbetet prioriteti ynë më i lartë. Institucionet kompetente vazhdojnë me përkushtim dhe koordinim të sigurojnë ndihmë shëndetësore të kohëshme dhe të duhur sa herë që është e nevojshme”, thonë nga Ministria.
