Njëmbëdhjetë komuna ende u kanë borxh anëtarëve të këshillave zgjedhore për zgjedhjet e vitit të kaluar

Nga Xh M
591 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Mogillë, 6 gusht Zhurnal.mk – Gati dhjetë muaj pas zgjedhjeve lokale, anëtarët e këshillave zgjedhore në Komunën e Mogillës ende nuk i kanë marrë kompensimet për angazhimin e tyre. Nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) bëjnë të ditur se, përveç Mogillës, edhe katër komuna të tjera – Kriva Pallanka, Çeshinovë-Obleshevë, Strumicë dhe Vallandovë – nuk i kanë paguar fare kompensimet, ndërsa në gjashtë komuna pagesat janë kryer vetëm pjesërisht.

“Përveç paralajmërimeve drejtuar komunave, të cilat janë bërë disa herë, si vitin e kaluar për të siguruar që në buxhetet komunale të planifikohen mjete për këtë qëllim, ashtu edhe këtë vit përmes disa shkresave, KSHZ-ja nuk ka kompetenca të tjera dhe as mekanizma për të detyruar zbatimin e obligimeve ligjore për pagesën e kompensimeve të organeve zgjedhore për Zgjedhjet Lokale 2025”, thuhet në reagimin e KSHZ-së.

Nga KSHZ-ja theksojnë se anëtarët e organeve zgjedhore duhet t’i kërkojnë të drejtat e tyre pranë komunave përkatëse, pasi pagesa e kompensimeve është obligim ligjor i tyre. Për shkak të rasteve të tilla, institucioni tashmë ka propozuar ndryshime në Kodin Zgjedhor.

“Propozojmë që KSHZ-ja ta marrë plotësisht përsipër pagesën e kompensimeve për të gjitha organet zgjedhore, për të gjitha llojet e zgjedhjeve dhe referendumet. Kemi konstatuar se sistemi aktual, me kompetenca të ndara mes KSHZ-së dhe komunave, krijon vonesa të panevojshme”, thuhet në njoftim.

Në muajin maj të këtij viti, KSHZ-ja siguroi pagesën e kompensimeve për 11 komuna me llogari të bllokuara. Komunat ku pagesat ende vonohen nuk bëjnë pjesë në këtë grup.

Zgjedhjet lokale u mbajtën më 19 tetor, ndërsa raundi i dytë më 2 nëntor të vitit të kaluar. Nga Komuna e Mogillës nuk kanë dhënë përgjigje se përse edhe pas dhjetë muajsh nuk janë paguar kompensimet për personat që administruan procesin zgjedhor.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër