Shkup, 8 shtaator, Zhurnal.mk – Me investim prej 2,7 milionë euro, aeroporti i Ohrit “Shën Apostol Pali” mori terminal pasagjerësh tërësisht të modernizuar, me hapësira të zgjeruara, pajisje të reja dhe kushte të përmirësuara për udhëtarët. Rikonstruktimi u realizua pa ndërprerje të punës së aeroportit, në një periudhë kur trafiku ajror shënon rritje të konsiderueshme dhe rekorde të reja. U rikonstruktuan terminali i pasagjerëve dhe hapësirat ndihmëse, u rrit numri i sporteleve, u zgjerua hapësira e check‑in, ndërsa u përmirësuan edhe zonat për kontrollin e sigurisë dhe bagazhin dorë. U reorganizua edhe parkimi, ndërsa u vendos pajisje dhe teknologji moderne për shërbim më të sigurt dhe më efikas të pasagjerëve.
Kryeministri Hristijan Mickoski, në hapjen e pjesës së modernizuar të aeroportit, vlerësoi se rikonstruktimi paraqet një hap të rëndësishëm përpara në cilësinë e shërbimeve dhe zhvillimin e trafikut ajror.
“Me këtë, aeroporti i Ohrit merr një dinamikë tjetër, një dritë tjetër dhe një cilësi tjetër dhe jam i bindur se në periudhën që pason, numri i pasagjerëve, por edhe numri i kompanive që i përdorin shërbimet e aeroportit të Ohrit do të rritet”, tha Mickoski.
Ai theksoi se këtë vit aeroporti shënon rezultate rekord. Në një ditë janë regjistruar më shumë se 3.000 pasagjerë, që është numri më i madh në historinë e aeroportit, ndërsa në disa ditë ka pasur më shumë se 20 fluturime. Mickoski shprehu pritshmëri që ky numër të rritet më tej.
“Jam i bindur se në periudhën që pason, me të gjitha aktivitetet ndërtimore dhe me mbështetjen që e japim si Qeveri, këto shifra do të dyfishohen, do të trefishohen dhe do të arrijmë në shifra që paraqesin objektivin tonë të ri”, deklaroi kryeministri.
Sipas zëvendëskryeministrit dhe ministrit të transportit, Aleksandar Nikolloski, me rikonstruktimin praktikisht hapet një aeroport i ri, pas disa dekadash pa ndërhyrje të mëdha.
“Pas punës së lodhshme, arrijmë të hapim praktikisht një aeroport të ri, pra ndërtesë terminali së bashku me hapësirat ndihmëse, që kanë shumë rëndësi, shumë përvojë më të mirë për pasagjerët krahasuar me më parë”, tha Nikolloski.
Ai kujtoi se ndërhyrjet e fundit të mëdha në aeroport ishin bërë rreth vitit 1970. Ndërkohë, numri i pasagjerëve është rritur ndjeshëm, prandaj modernizimi, sipas tij, vjen në një periudhë kur infrastruktura është nën presion gjithnjë e më të madh.
Vetëm nga janari deri në qershor të këtij viti, aeroporti i Ohrit ka shërbyer më shumë se 240.000 pasagjerë. Nikolloski pret që të dy aeroportet maqedonase këtë vit së bashku t’i afrohen katër milionëve pasagjerë.
“Diçka që ishte e paimagjinueshme për aeroportet tona dhe do të vazhdojmë të rritemi”, porositi Nikolloski.
Zhvillimi i trafikut ajror, sipas tij, duhet të shoqërohet edhe me infrastrukturë rrugore më të mirë. Në këtë kontekst, ai përmendi autostradën Ohër – Kërçovë, duke theksuar se pjesa deri te aeroporti tashmë është përfunduar dhe pritet të vazhdojë lidhja e plotë në periudhën e ardhshme.
