Oliver Spasovski: LSDM duhet të analizojë thellësisht arsyet e rënies së besimit

Nga B.M
191 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 23 maj, Zhurnal.mk – Deputeti dhe ish-ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, vlerëson se Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë duhet sinqerisht dhe në mënyrë të thelluar t’i analizojë arsyet e rënies së besimit te qytetarët, nëse dëshiron ta rikthejë mbështetjen e tyre.

Në paraqitjen e tij në emisionin “Nocno Studio” në 4TV, Spasovski bëri një analizë kritike të shtatë viteve të qeverisjes së partisë. Ai theksoi se në rezultatin zgjedhor kanë ndikuar disa faktorë – nga politika kontestuese kadrovike, deri te pritjet e paplotësuara për drejtësi dhe reforma në sistemin gjyqësor.

“Dikush do të thotë se faktor ishte partneri i koalicionit (BDI), dhe kjo është e vërtetë. Por, mendoj se edhe ne vetë – përmes politikës kadrovike dhe disa vendimeve që u morën – ndikuam në këtë rezultat. Më së shumti mungoi drejtësia, reforma më e madhe në sistemin gjyqësor dhe një mënyrë tjetër funksionimi. Qytetarët e prisnin këtë pas rrëzimit të regjimit të mëparshëm, ndërsa pritjet e mëdha gjithmonë sjellin zhgënjime të mëdha”, deklaroi Spasovski, transmeton Zhurnal.mk.

Ai kritikoi edhe të gjithë sistemin politik në vend, duke vlerësuar se të gjitha partitë përballen me problemin e klientelizmit, i cili sjell përfitime afatshkurtra politike, por afatgjatë krijon dëme të mëdha për shtetin.

Sipas Spasovskit, partitë shpesh fokusohen në zgjidhjen e interesave individuale, punësime dhe ndarjen e funksioneve, ndërsa shumica e qytetarëve presin zgjidhje sistemore dhe institucione funksionale.

“Shteti nuk guxon të orientohet drejt përmbushjes së interesave të individëve. Shumica e qytetarëve presin politika të mëdha për të mirën e shtetit – sistem të fortë, drejtësi funksionale, mjedis të shëndetshëm jetësor, ajër të pastër dhe forcim të kapaciteteve demokratike të institucioneve. Sistemi më në fund duhet të vihet në funksion të popullit, e jo të partive”, porositi ai.

Si një nga problemet kyçe, Spasovski e veçoi mënyrën e të menduarit dhe qasjen ndaj ndryshimeve shoqërore.

“Reforma duhet të jetë së pari reformë e mendjes, reformë e mënyrës sonë të të menduarit. Ne shpesh krahasohemi me Gjermaninë, Suedinë apo Norvegjinë. Por atje qytetarët ndërtohen si karaktere me norma të larta morale dhe etike, prandaj ajo që është e shkruar në ligjet e tyre është vetëm produkt natyror i moralit të tyre. Tek ne situata është e kundërt – ne duam përmes teksteve ligjore t’ia imponojmë moralin dhe etikën kombit. Kjo thjesht nuk është e mundur”, tha Spasovski.

Ai përfundoi se përgjegjësinë për krijimin e një ambienti ndryshe shoqëror e ka i gjithë shoqëria, por se barrën më të madhe për ndryshimet e vërteta duhet ta mbajë elita politike që udhëheq shtetin.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër