Pacolli-Dalipi: Ndërtimi i Qendrës Rezidenciale për fëmijët me nevoja të veçanta do të trajtohet me prioritet

Nga D. V.
1,205 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 07 korrik, Zhurnal.mk – Ministrja në detyrë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli-Dalipi, ka bërë të ditur se projekti për ndërtimin e Qendrës Rezidenciale për fëmijët me autizëm, sindromën Down dhe fëmijët me nevoja të veçanta do të trajtohet me prioritet nga institucionet.

Përmes një postimi në Facebook, Pacolli-Dalipi njoftoi se për këtë projekt ka zhvilluar një takim me humanistin Halil Kastrati, me të cilin ka diskutuar për hapat drejt realizimit të tij.

“Projekti për ndërtimin e Qendrës Rezidenciale për fëmijët me autizëm, sindromën Down dhe fëmijët me nevoja të veçanta ishte tema kryesore e takimit të sotëm me z. Halil Kastrati”, ka shkruar ajo.

Sipas ministres në detyrë, institucionet do të ofrojnë mbështetjen e nevojshme për të avancuar projektin.

“U zotova se do ta trajtojmë këtë projekt me prioritet, duke ofruar mbështetjen e nevojshme institucionale për t’i hapur rrugë realizimit të tij”, ka theksuar Pacolli-Dalipi.

Ajo gjithashtu ka vlerësuar kontributin e Halil Kastratit në realizimin e projekteve humanitare.

“Njëherësh, e përgëzova z. Kastrati për angazhimin dhe kontributin e jashtëzakonshëm në realizimin e projekteve humanitare në shërbim të familjeve në nevojë dhe kategorive më të cenueshme të shoqërisë”, ka shkruar ministrja në detyrë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër