Prishtinë, 28 korrik Zhurnal.mk – Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka reaguar pas aksidentit në një kantier ndërtimi në Prishtinë, duke kërkuar llogaridhënie për rastin dhe duke theksuar se përgjegjësia për mbikëqyrjen e sigurisë bie mbi Inspektoratin Komunal të Ndërtimit dhe Komunën e Prishtinës.
Pacolli ka shprehur ngushëllimet për familjen e viktimës, ndërsa të lënduarit i ka uruar shërim të shpejtë dhe të plotë.
Ajo ka thënë se ky është “incidenti i katërt me rrezik jete dhe dëmtim prone që ndodh së fundmi pikërisht në Prishtinë” dhe se “është e papranueshme që askush nuk duket se po mendon për adresimin e përgjegjësisë”.
Sipas Pacollit, “përgjegjësia kryesore dhe e drejtpërdrejtë për lejimin, mbikëqyrjen e sigurisë dhe parandalimin e këtyre rasteve bie mbi Inspektoratin Komunal të Ndërtimit dhe vetë Komunën e Prishtinës”.
“Këto dështime të njëpasnjëshme të nivelit lokal kërkojnë llogaridhënie të menjëhershme dhe të pashmangshme”, ka shkruar ajo.
Pacolli ka bërë të ditur se Ministria po verifikon me seriozitet çdo lëshim dhe se do të kërkojë që çdo shkelës të japë llogari para ligjit.
Po ashtu, ajo ka kërkuar nga odat profesionale që rregullojnë profesionet përkatëse të vlerësojnë urgjentisht situatën nëse ka pasur mungesë profesionalizmi dhe të marrin masa disiplinore, deri në revokimin e plotë të licencave për profesionistët përgjegjës.
Në fund, Pacolli ka theksuar se “siguria e qytetarëve, pronës dhe standardeve të ndërtimit është e panegociueshme” dhe se “nuk do të ketë kompromis me askënd”.
