Tiranë, 14 prill Zhurnal.mk – Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë pasditen e kësaj të marte, një pallat banimi në zonën e njohur si kryqëzimi te “Farmacia 10”, përballë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë.
Sipas informacioneve paraprake nga vendi i ngjarjes, flakët kanë shpërthyer në një apartament të një pallati afër këtij kryqëzimi.
Forcat e zjarrfikëses dhe policia e Tiranës kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje. Ekipe të shumta zjarrfikëse po punojnë për të izoluar dhe shuar flakët, për të parandaluar përhapjen e zjarrit në pjesë të tjera të pallatit ose në ndërtesa fqinje.
Deri tani nuk raportohen persona të lënduar, por dyshohet se ka dëme materiale në banesat e prekura.
Ndërkaq, urgjenca për djegien dhe plastikën në Qendrën Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’ gjendet në gatishmëri për të trajtuar çdo person të lënduar nga zjarri i sotëm.
