Tiranë, 17 prill Zhurnal.mk – Që prej ditës kur nxorri këmbën nga rreshti duke thyer urdhrin e partisë, Elisa Spiropali po e sheh veten nën lëkurën e një lebroze politike, e braktisur nga shokët dhe shoqet dhe e sulmuar prej atyre institucioneve për të cilat dikur mjaftonte një mesazh i shkurtër për t’i vënë nën kontroll. Me gjasë karriera e deputetes së Tiranës, ish-Ministre e Jashtme dhe ish-Kryetare e Kuvendit është drejt perëndimit dhe ajo sapo ka hyrë në fazat e para të diskretitimit publik, nëpërmjet metodave që evokojnë traditën e hershme të “internimeve”.
Sipas një shkrimi ekskluziv të publikuar nga Lapsi.al një grup inspektorësh tatimorë kanë kryer kontrolle në biznesin e bashkëshortit të Elisa Spiropalit dhe ky veprim ka irrituar deputeten e Partisë Socialiste. Jo më kot, mesazhi i fundit që ka shpërndarë Spiropali në rrjetet sociale tingëllon edhe si një alarm i brendshëm për atë vetë dhe familjen e saj.
“Po më këshillojnë të hesht” shkruan 43-vjeçarja, që refuzon ta pranojë këtë këshillë meskine. “Shpirtkatran që më qërtojnë, janë qën’ që s’më kafshojnë” citon ajo vargjet e Lasgush Poradecit, duke lënë të kuptohet se ndjehet ende e fuqishme dhe se është gati t’i përgjigjet flakë për flakë kërcënimeve.
Interesante është se si një nga altoparlantët e sinkronizuar me propagandën dhe shijet e Edi Ramës i ka fshirë nga shiriti lavdet për kryeministrin dhe Partinë Socialiste. Sepse janë ende të freskëta në memorie kohët kur ajo e quante Partinë Socialiste një forcë politike energjizuese, promotore e integrimit për Shqipërinë në Bashkimin Europian dhe si një instrument me fuqinë e ndryshimit për ripërtëritjen e Shqipërisë dhe shtetit tonë.
Por sapo ka provuar shijen e abuzimit, frazat e Spiropalit vetëm nxijnë. A thua se po përshkruan një organizatë kriminale që tërheq fijet në majë të shtetit shqiptar. Spiropali flet për një model qeverisjeje, ku “institucionet janë instrumente presioni”, që nuk i përgjigjen ligjit, por “klanit” që i kontrollon.
Shteti, sipas Spiropalit është zëvëndësuar me një “makineri të pashpirt” që mund të përdoret kundër çdokujt, pasi administratës i jepen “urdhëra të paligjshëm për interesa dhe presione eprorësh të dhunshëm dhe fuqiplotë”.
Eshtë e njëjta dorë thotë deputetja e Tiranës që përdor “portale të paguara me para të errëta, që fillojnë të sulmojnë në mënyrë brutale deri edhe familjarë, në punë të tyre”. Këto struktura shtetërore që përdoren për hakmarrje personale Spiropali i quan “hanxharë” për të frikësuar kundërshtarët. “Kufijtë janë tejkaluar, thotë ajo,- nuk bëhet më fjalë për politikë”.
Duhet thënë se deri dje, i njëjti shtet nuk krijonte asnjë shqetësim për Spiropalin. Vetëm kur tatimet u afruan në biznesin e bashkëshortit të saj, ajo po reagon me alarm. Kur rreshtohej mes besnikëve të Edi Ramës, ajo vetëm ka heshtur.
Por shpërthimet e Elisa Spiropalit në këto momente dëshpërimi e kanë një vlerë. Përtej përtej luftës së egër brenda llojit në Partinë Socialiste, përtej faktit se janë një dëshmi e dorës së parë, nga një antar i vjetër i organizatës, ato janë edhe një lakmus për agresivitetin e pushtetit të Edi Ramës në vitin e 13 në pushtet.
Po ta shohësh me kujdes, “mëkatet” e Elisa Spiropalit përballë partisë së saj janë pak statuse në rrjetet sociale dhe mungesa në seancën parlamentare për imunitetin e Ballukut në 12 Mars. Por në atë seancë, duhet thënë se mungesa e Spiropalit as nuk e vinte në diskutim rezultatin e votimit.
E megjithatë këto herezi të vogla të Spiropalit, që janë shumë larg lëvizjeve të dikurshme brenda Partisë Socialiste dhe që as nuk synojnë të shkojnë më tej, kanë vënë menjëherë në punë mekanizmat e ndëshkimit me mjete apolitike. Reagimi ka qenë i menjëhershëm dhe pas asaj “qepe gojën” në mbledhjen e grupit parlamentar nga Edi Rama erdhën sulmet mediatike për pasurinë e familjarëve të saj, ndërsa tani përshkallëzimi me kërcënimet e inspektorëve të tatimeve.
Përballë Spiropalit që me gjasë do t’i dorëzohej partisë me ofertën e parë, është shfaqur një pushtet luftarak që ndëshkon menjëherë këdo që i del potencialisht kundër, edhe një figurë që deri dje ishte pjesë e bërthamës së tij. Mjaftojnë dy statuse në Facebook dhe mesazhi është i qartë për të tjerët: askush nuk është i paprekshëm dhe çdo fjalë duhet matur mirë.
Por kjo sjellje përmban brenda saj edhe një paradoks. Sepse sa më agresive të jetë sjellja e një pushteti, aq më i pasigurt është ky pushtet në thelbin e tij.
