“Panairi i Librit Shqip 2026” zbarkon në Shkup, Mexhiti: Çairi është gati

Nga B.M
269 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 23 maj, Zhurnal.mk – Komuna e Çairit në bashkëpunim me Institutin e Librit dhe Promocionit nga Tirana po përgatit organizimin e “Panairit të Librit Shqip, Shkup 2026”, i cili për herë të parë do të mbahet në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut.

Lajmin e bëri të ditur kreu i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, përmes një njoftimi publik, ku theksoi se aktiviteti do të zhvillohet në Sheshin Skënderbe më 4, 5, 6 dhe 7 qershor.

Sipas tij, panairi synon ta sjellë librin shqip më afër qytetarëve, duke krijuar një atmosferë kulturore që bashkon lexues, autorë dhe dashamirës të librit.

“Në Çair po përgatitet një ngjarje që sjell fjalën e shkruar mes qytetit, mes lexuesve, autorëve dhe dashamirësve të librit. Sheshi do të mbushet me faqe, ide, takime dhe histori që krijojnë një atmosferë të veçantë kulturore”, ka shkruar Mexhiti.

Ai bëri të ditur se në kuadër të përgatitjeve është zhvilluar një takim pune me Fatmir dhe Irena Tocin, si dhe Muhamet Murtezin, ku janë diskutuar fazat përfundimtare të organizimit dhe detajet e fundit të aktivitetit.

“Gjithçka po shkon drejt realizimit të një ngjarjeje që për herë të parë do të sjellë në Shkup Panairin e Librit Shqip”, thuhet në njoftim.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër