Papa Leone XIV: Bota po shkatërrohet nga një grusht tiranësh

Nga D. V.
223 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Kamerun, 16 prill, Zhurnal.mk – Papa Leone XIV bëri thirrje për pajtim dhe paqe gjatë një vizite sot në Kamerun, në një kohë kur konfliktet vazhdojnë në shumë vende të botës, duke vlerësuar bashkëpunimin mes të krishterëve dhe myslimanëve në qytetin e Bamendas.

Rajoni është përfshirë nga një konflikt që prej vitit 2017, me mijëra viktima në përplasjet mes forcave qeveritare dhe separatistëve, ndërsa qindra mijëra njerëz janë zhvendosur.

Komunitetet fetare kanë luajtur rol ndërmjetësues në përpjekjet për paqe.

Kreu i Kishës Katolike e cilësoi këtë bashkëpunim si një shembull për vendet e tjera të botës.

“Do të dëshiroja që kjo të ndodhte në shumë vende të tjera të globit. Lum ata që bëjnë paqen! Por mjerë ata që manipulojnë fenë dhe emrin e Zotit për përfitime ushtarake, ekonomike dhe politike, duke e zhytur të shenjtën në errësirë dhe ndotje”, u shpreh ai.

“Bota po shkatërrohet nga një grusht tiranësh, por mbahet e bashkuar nga një shumicë vëllezërish dhe motrash solidarë”, tha Papa në një deklaratë.

Ai nuk specifikoi se cilët liderë i konsideron “tiranë”.

Papa Leone XIV ka folur më herët kundër luftës me Iranin dhe, ditët e fundit, është kritikuar disa herë nga presidenti amerikan, Donald Trump.

Megjithatë, ai ka deklaruar se “nuk ka frikë nga administrata Trump”.

Kameruni është ndalesa e dytë e Papës në një turne 11-ditor në Afrikë, pas vizitës në Algjeri.

Ai pritet të mbajë një meshë sot në Bamenda, ku do të marrin pjesë dhjetëra mijëra besimtarë.

Një ditë më parë, Papa Leone i bëri thirrje qeverisë së presidentit afatgjatë, Paul Biya të intensifikojë përpjekjet për paqe, në një vend ku opozita politike, liria e shprehjes dhe ajo e medias mbeten të kufizuara.

Më shumë se gjysma e popullsisë së Kamerunit identifikohet si e krishterë, ndërsa rreth një e katërta i përket besimit katolik dhe afro 20% janë myslimanë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër