Parku i hyrjes së Shkodrës, projekt transformues i kryeqytetit të veriut

Nga D. V.
1,013 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 29 qershor, Zhurnal.mk – Parku në hyrje të Shkodrës po merr formë dita ditës, për t’u kthyer në një hapësirë multifunksionale për të gjitha grupmoshat.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjete sociale pamje nga kantieri i punimeve në këtë park, ndërsa u shpreh se nga një territor i pushtuar nga ndërtimet pa leje, ky park po kthehet në një shëmbëlltyrë të vizionit transformues të Rilindjes për kryeqytetin e veriut.

Projekti përfshin krijimin e një parku prej 17-18 hektarësh, që do të përmbajë mjedise sportive, shëtitore për këmbësorë dhe biçikleta, pika panoramike për të shijuar pamjet e liqenit, si dhe hapësira për aktivitete dhe koncerte.

Parku multifunksional buzë Bunës është një nga projektet strategjike për transformimin e Shkodrës nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, me financim 100% të Qeverisë shqiptare.

Pjesë e projektit është porti pranë Urës së Bunës si një pol i ri turistik, si dhe ngritja e një muzeu që do të nxjerrë në pah për vizitorë e turistë historinë rrezatuese të Shkodrës në shekuj.

Ky projekt do të ketë ndikim të lartë edhe në lehtësimin e qarkullimit dhe reduktimin e trafikut në qytet, pasi parashikon zgjerimin e rrugës nga Harku i Bërdicës, tek Ura e Bahçallëkut, përfshirë dhe zgjerimin e urës në katër korsi.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër