Pas Hagës, kush do ta çojë përpara drejtësinë për krimet e luftës në Ballkan?

Nga Xh M
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 19 shtator Zhurnal.mk – Që nga viti 2022, pas ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale, në Kosovë janë bërë të mundura edhe gjykimet në mungesë. Sipas FDHK-së, deri në shkurtin e 2025-tës janë ngritur 15 aktakuza në mungesë kundër 73 pjesëtarëve të forcave serbe.

Blakaj e sheh këtë si lëvizje pozitive numerikisht, por i druhet rezultatit real për sjelljen e drejtësisë.

“Mendoj që, në këtë moment, ndoshta edhe familjarët e viktimave mund të jenë më të kënaqur me këto procese, edhe pse ndoshta në një fazë të ardhshme, kur është e qartë që shumica e tyre as që do të mund të dënohen në mungesë, apo edhe nuk do të burgosen, mund të kthehet pastaj në një lloj frustrimi”, thotë ai.

Ndjekja joproporcionale etnike e të dyshuarve për krime lufte, në këtë rast në favor të komunitetit shumicë, është evidente edhe në Serbi.

Autoritetet atje i thanë Radios Evropa e Lirë se që nga themelimi i departamenteve për krime të luftës më 2003, janë ngritur 270 aktakuza – 112 persona janë dënuar, ndërsa 29 janë liruar.

Gjykatat dhe prokurorët serbë thanë se nuk mbajnë statistika mbi përkatësinë etnike të personave të dënuar ose të shpallur të pafajshëm.

Megjithatë, një raport i vitit 2024 i Fondit për të Drejtën Humanitare në Serbi vlerëson se numri i rasteve kundër serbëve për krime ndaj shqiptarëve të Kosovës nuk është në përpjesëtim me shkallën dhe përmasat e krimeve të kryera ndaj tyre nga formacionet e armatosura serbe.

Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, i themeluar nga Qeveria e Kosovës më 2023, thotë se ka dokumentuar 12.230 viktima të luftës, shumica dërrmuese shqiptarë të vrarë nga forcat serbe.

Sipas Blakajt, të dënuarit në Serbi kanë qenë kryesisht oficerë të rangut të ulët, jo personat me përgjegjësinë më të madhe.

Kur do të përfundojë epoka e proceseve ndërkombëtare për krimet e luftës në Jugosllavi?

Dhomat e Specializuara të Kosovës u themeluan më 2015, me miratimin e Kuvendit të Kosovës. Ato janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por kanë selinë në Hagë, Holandë, dhe funksionojnë me gjyqtarë e prokurorë ndërkombëtarë.

Ndryshe nga Specialja, Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë ishte themeluar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për të trajtuar krimet e luftës në gjithë ish-Jugosllavinë.

Iva Vukushiq, historiane nga Universiteti i Utrehtit në Holandë, thotë se në perceptimin e një pjese të komunitetit juridik dhe studiuesve në Hagë, fundi i një epoke kishte ardhur që me dënimin në apel të ish-komandantit të forcave serbe të Bosnje e Hercegovinës, Ratko Mlladiq, ndonëse më pas përfunduan edhe procese të tjera.

Sipas saj, Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë tërhequr dukshëm më pak vëmendje jashtë Kosovës dhe Serbisë, sesa proceset e Tribunalit për ish-Jugosllavinë.

“Në shumë aspekte është e kuptueshme, sepse kanë kaluar pothuajse 30 vjet. Kështu që, mendoj se në njëfarë mënyre është normale që nuk i kushtojmë vëmendje kësaj [gjykimeve për krime lufte] në të njëjtën mënyrë siç bënim në vitin 2005”, thotë Vukushiq për Radion Evropa e Lirë.

Zëdhënësi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës në Hagë, Chris Bennett, thotë se ky institucion nuk komenton ekzistencën apo hollësitë e ndonjë hetimi, apo se kur do të përfundojë mandati i saj.

“Mandati i Zyrës së Prokurorit të Specializuar vazhdon derisa Këshilli i Bashkimit Evropian t’i njoftojë institucionet e Kosovës se hetimet dhe çdo procedurë që rrjedh prej tyre kanë përfunduar”, sqaron ai në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

Vukushiq thotë se përtej Gjykatës Speciale në Kosovë, gjasat për mbështetje politike dhe financiare për tribunale të tjera të posaçme për ish-Jugosllavinë janë zbehur, veçanërisht me shpërthimin e luftërave të reja nëpër botë.

“Do të thosha se, në një mënyrë apo në një tjetër, duhet të mendojmë, gjithashtu, se deri kur do të na duhet të marrim mbështetje të jashtme – si paterica – për t’i bërë sistemet tona ligjore të funksionojnë siç duhet?”, shprehet ajo.

Çfarë kanë bërë gjykatat vendore në pjesën tjetër të Ballkanit?

Në rajonin e Ballkanit, rezultatet e gjykatave vendëse ndryshojnë ndjeshëm.

Blakaj e veçon Bosnje e Hercegovinën si vendin që ka bërë më së shumti, si për numrin e proceseve, ashtu edhe për nivelin e përgjegjësisë së personave të gjykuar.

Sipas një analize të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), nga viti 2004 deri në fund të vitit 2024, gjykatat vendëse atje kanë përfunduar 773 raste kundër 1.209 të akuzuarve. Në 499 raste janë shqiptuar aktgjykime dënuese të formës së prerë.

Megjithatë, Vukushiq thotë se në Bosnje e Hercegovinë mbeten qindra raste të mundshme, dhe paralajmëron se shumë prej tyre mund të mos arrijnë kurrë në gjykatë.

Në Kroaci, sipas të dhënave që i ka siguruar Radio Evropa e Lirë, nga viti 1991 deri më 31 mars 2026, prokuroritë kanë ngritur aktakuza kundër 2.185 personave. Ndërkaq, gjykatat nuk kanë kthyer përgjigje sa i përket numrit të aktgjykimeve.

Në Mal të Zi, sipas Bojana Maloviqit nga organizata Aksioni për të Drejtat e Njeriut, gjatë tri dekadave janë ngritur nëntë aktakuza.

Shtatë procedura kanë përfunduar me vendime të formës së prerë: katër me aktgjykime dënuese, dhe tri me lirimin e të gjithë të akuzuarve. Dy procedura të tjera po vazhdojnë./ REL.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër