PD: Koncesioni për hemodializën i kushtoi shtetit 15,1 miliardë lekë në gjashtë vite

Nga D V
436 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 28 gusht, Zhurnal.mk – Partia Demokratike tha sot se Klodian Allajbeu, pronari i rrjeteve të Spitalit Amerikan dhe Hygeia, rezulton si përfituesi më i madh i koncesionit të hemodializës.

Në një deklaratë për mediet, sekretari për Aksionin Qytetar në PD, Erges Eskiu, duke iu referuar raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, tha se koncesionari ka përfituar 15,1 miliardë lekë, ose rreth 150 milionë euro, gjatë gjashtë viteve.

Sipas tij, pjesa më e madhe e seancave të hemodializës është kryer në strukturat private.

“Vetëm në vitin 2022, nga 193 878 seanca të kryera gjithsej, vetëm 10 766 u kryen në spitalin publik, ndërsa 183 112 seanca, ose 94,4%, u kryen nga privati dhe PPP-ja”, deklaroi Eskiu.

Eskiu tha gjithashtu se ndërtimi i qendrave publike të hemodializës në 11 qarqe do t’i kushtonte buxhetit të shtetit një shumë ndjeshëm më të ulët.

“Në rast se në 11 qarqe do të vendosej që të ngriheshin qendra për hemodializën, buxhetit të shtetit nuk do t’i kushtonin më shumë se 4,5 ose 5 milionë euro, ndërsa, që t’i bësh ultra moderne, jo më shumë se 10 milionë euro. Duke shtuar dhe koston e hemodializës për pacient, e cila shkon së paku në 50% më lirë se ofron koncesionari, atëherë çdokush mund të llogarisë se sa ka qenë përfitimi i Allajbeut në këtë megavjedhje me leje dhe partneritet shtetëror”, tha ai.

Eskiu theksoi se Partia Demokratike do t’i shkojë deri në fund kësaj çështjeje dhe materialet do t’i referojë në organet ligjzbatuese.

“Ne gjithashtu zotohemi se të gjitha praktikat korruptive do të zhbëhen menjëherë pas ardhjes në qeveri dhe shëndetësia do të kthehet në të mirë publike, me fokus te shëndeti i qytetarit, me programe të qarta që vendosin në qendër pacientët, duke i dhënë fund të konsideruarit e tyre si klientë për t’u zhvatur”, tha ai.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër