Tiranë, 15 prill Zhurnal.mk – Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike, Grigels Muçollari, tha sot se zjarri që ra dje në pallatin “Arlis”, në Tiranë, “nuk është një rastësi tragjike”.
Sipas tij “është pasojë direkte e një modeli të dështuar zhvillimi urban, ku për vite me radhë janë dhënë leje ndërtimi pa standarde, pa kontroll dhe pa respektuar sigurinë minimale të qytetarëve”.
“Kjo ngjarje konfirmon një problem të njohur, ku në vend të standardeve reale të sigurisë, është ndërtuar një kulturë fasadash”, tha Muçollari.
Muçollari theksoi se ngjarja e djeshme dhe rastet e përsëritura tregojnë se paralajmërimet kanë ekzistuar, por nuk janë marrë masa.
“Nuk janë ndaluar materialet e rrezikshme, nuk janë kontrolluar standardet dhe nuk është mbajtur përgjegjësi”, tha ai.
Sipas tij përgjegjësia nuk është vetëm teknike, por është politike dhe institucionale.
Në përfundim të deklaratës për mediet, Muçollari theksoi se Partia Demokratike kërkon hetim të plotë dhe të pavarur për këtë ngjarje dhe rastet e mëparshme të ngjashme.
“Verifikim të menjëhershëm të materialeve të përdorura në fasadat e pallateve ekzistuese; Ndërhyrje urgjente për zëvendësimin e fasadave të rrezikshme; Auditim të lejeve të ndërtimit dhe të respektimit të kushteve teknike; Rritje të kapaciteteve të shërbimeve zjarrfikëse dhe emergjencave civile; Ndryshim rrënjësor të modelit të zhvillimit urban”, tha ai.
Nga ana tjetër, nënkryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës i Partisë Demokratike, Dorjan Teliti, reagoi në lidhje me uljen e flotës së autobusëve me 40%.
Teliti theksoi se Tirana rrezikon bllokim, që do të thotë përkeqësim i mëtejshëm i lëvizshmërisë së përditshme të qytetarëve.
“Ulja me 40% e flotës së autobusëve do të thotë edhe më shumë makina në terren, më shumë trafik, më shumë ndotje të ajrit që thithim. Së dyti, reduktimi me 40% i flotës së autobusëve godet fuqimisht dhe drejtpërdrejt jetën ekonomike dhe sociale të kryeqytetit”, tha ai.
Sipas Telitit, PD kërkon që qeveria të pranojë propozimin zyrtar të PD-së për ulje urgjente të barrës fiskale mbi karburantin për të lehtësuar kostot e sektorit dhe ekonomisë në përgjithësi.
Gjithashtu PD kërkon “mbledhjen e menjëhershme dhe të jashtëzakonshme të Këshillit Bashkiak të Tiranës, me qëllim që të bëjmë transparencë të plotë mbi situatën dhe të miratohen urgjentisht masa dhe paketa konkrete mbështetëse ndaj këtij sektori nga buxheti vendor i Tiranës”.
