PD: Të anulohet tenderi 15 milionë euro për avionët zjarrfikës

Nga D. V.
431 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 6 gusht, Zhurnal.mk – Partia Demokratike kërkoi sot anulimin e procedurës së tenderit me vlerë 15 milionë euro për blerjen e tre avionëve për shuarjen e zjarreve, duke kërkuar gjithashtu nisjen e një hetimi të thelluar nga SPAK.

Përmes një deklarate për mediet, zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli, tha se kompania e shpallur fituese e tenderit, Air Tractor Europe S.L., është përfshirë në procese gjyqësore në Spanjë që lidhen me pretendime për manipulim tenderësh dhe korrupsion në sektorin e avionëve për shuarjen e zjarreve.

“Sipas medias Ministria e Mbrojtjes ka shpallur fituese kompaninë Air Tractor Europe S.L., e cila është përfshirë në vendime gjyqësore në Spanjë që lidhen me manipulimin e tenderëve, dhe korrupsionin në sektorin e avionëve të shuarjes së zjarreve. Vendimet e autoriteteve gjyqësore spanjolle, përveç dëmit korruptiv të paktën 150 milion euro, së bashku me vendimin e gjykatës supreme në Greqi në 2024, pengojnë kompaninë të marrë pjesë në procedura të prokurimit publik në vendet e Bashkimit Europian”, tha ajo.

Vangjeli theksoi se legjislacioni shqiptar për prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë parashikon përjashtimin e operatorëve ekonomikë në rastet kur ka vendime penale të formës së prerë për vepra si korrupsioni, mashtrimi apo falsifikimi.

Sipas saj, edhe legjislacioni shqiptar përmban të njëjtat klauzola penalitetesh.

Në këto kushte Vangjeli shtoi se, Partia Demokratike kërkon anulimin e menjëhershëm të procedurës dhe nisjen e hetimeve të thelluara nga SPAK për të penalizuar përgjegjësit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër