Tiranë, 28 prill Zhurnal.mk – Ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, duke u ndalur si te protestat e opozitës, ashtu edhe te debatet brenda Partisë Socialiste.
Nga studio e QUO VADIS ai u shpreh kritik ndaj protestave të partisë, duke i cilësuar ato si të parëndësishme dhe të përsëritura.
Sipas tij, retorika e liderit të opozitës, Sali Berisha, për “fundin e qeverisë” është bërë e pabesueshme për publikun.
Duke u ndalur te zhvillimet brenda mazhorancës, Klosi komentoi edhe raportin mes kryeministrit Edi Rama dhe Elisa Spiropalit. Ai tha se do të dëshironte një Parti Socialiste më demokratike dhe funksionale.
“Protestat e PD nuk janë protesta. Më mirë t’i bëjnë në një sallë, hanë edhe darkën. Në çdo protestë Berisha thotë që do të jetë fundi i kryeministrit, kjo është bërë qesharake. Gazi lotsjellës përdoret në të gjithë botën, kur policia e quan të nevojshme të shpërndajë njerëzit se janë bërë agresivë. Situatat nuk kanë qenë larg asaj që quhen agresive në të gjithë botën.
Politika proteston në Parlament. Këta kanë vendosur ta bëjnë në rrugë. Por kur hedhin molotov drejt institucioneve, çfarë bën policia? Hedh gaz lotsjellës. Mos e bëj veten që policia të të hedhë gaz lotsjellës. Është një qëndrim normal. Berisha ka punuar vetëm për veten e vet dhe për njerëzit e tij. Parlamenti i parë ka qenë më i miri, por tani janë disa rrugaçë që nuk fitojnë gjë dhe ata duan të jenë deputetë. Pa Berishën, asnjëri nuk bëhet deputet. Ata e duan këtë, se u duket profesion i rehatshëm. Shfrytëzojnë Berishën dhe Berisha ata.
Edi Rama akuzohet për autoritar brenda partisë. Unë nuk jam anëtar dhe nuk e di si është. Unë do të doja që PS të ishte më demokratike. Shoh njerëz që po përpiqen të bëjnë diçka, sepse i njoh, por nuk po funksionon”, tha Klosi.
