Prishtinë, 22 tetor, Zhurnal.mk – Përplasjet mes deputetëve dhe ministrave e kanë karakterizuar seancën e sotme të Kuvendit, raporton Ekonomia Online.
Futja e një personi në kampin e policisë dhe vdekja e një pacienteje me kancer kanë përballur deputetët me ministrat.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri, ka kritikuar ministrin për mungesën e barnave.
“Tani, ministër, meqenëse je këtu, jo se Albin Kurti nuk është më përgjegjës se ti; ai sigurisht që është më përgjegjës. Nuk e di qysh fle natën, kur dikush qan se e ka kancerin, e ju e rregulloni një mindilin. A e ke idenë që, për gjashtë vitet e fundit, ka pasur rritje prej 30 për qind të vdekjeve në spitalet rajonale dhe në QKUK? Mbi 42 për qind janë rritur rastet e reja me tumor”, tha Ymeri.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili ka akuzuar mediat për raportim jo korrekt.
Vitia ka thënë se shkaku i vdekjes nuk mund të përcaktohet pa procedura mjekësore dhe ka kritikuar raportimin për këtë rast.
“Një gazetare pa bërë asnjë verifikim të lajmit, kaq për konfirmime të shumta, pa bërë asnjë konfirmim të lajmit, as edhe ne paraqet menjëherë, bile edhe në lajmet qendrore të një mediumi. Paramendojeni të nderuar qytetarë, të dashur deputetë, për shkakun e vdekjes nevojitet autopsia dhe shumë procedura tjera për të qenë i qartë”, theksoi ministri.
Debat pati edhe për futjen e një personi në kampin policor të Vrellës dhe publikimin e pamjeve nga infrastruktura e sigurisë në YouTube, duke vlerësuar se rasti ngre shqetësime serioze për sigurinë kombëtare.
Ndërsa deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, potencoi se bëhet fjalë për një objekt të infrastrukturës kritike të sigurisë, ku qasja e personave të paautorizuar nuk do të duhej të lejohej.
“E ka vendosur në YouTube, pjesë të cilat asnjëherë jo vetëm që nuk do të duhej të incizohen e filmohen, por nuk do të duhej fare që dikush të ketë qasje aty. Pra, nuk po flasim për një park publik, po flasim për një objekt të tërësisë së veçantë të infrastrukturës kritike, sigurisë kombëtare, të Kosovës. E çka, nëse ky ka qenë testim armiqësor? Rezultati dihet, shihet. Pra, është qartë: siguria është shkelë, dhe ky është skandal fort i madh”, potencoi Ramadani.
Në të njëjtën linjë me Ramadanin ishte edhe deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, e cila ka kërkuar hetim të thellë dhe përgjegjësi.
“Prandaj, meqë jam njoftuar edhe zyrtarisht që Inspektoriati Policor i Kosovës i ka filluar hetimet me këtë rast, dua të kërkoj edhe një herë zëshëm Inspektoriatit Policor që të bëjë një hetim të thellë dhe t’i nxjerrë para përgjegjësisë për personat të cilët kanë qenë përgjegjës për monitorimin ose për sigurinë e këtij kampi”, tha Musliu.
E ashpër në fjalimin e saj ishte edhe deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu, e cila refuzonte ta lëshonte foltoren e Kuvendit.
Në mbrojtje të bashkëpartiakut, kryetarit të Mitrovicës, Faton Peci, doli ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla.
“Ministri Faton Peci, ish-ministri i bujqësisë, kryetari i sotëm i Mitrovicës. Do të mbahet mend për transformimin e bujqësisë, si një prej ministrave për luftimin e pakompromis të krimit dhe të korrupsionit, dhe do të mbahet mend si një prej ministrave më të guximshëm të Qeverisë Kurti II”, tha Gërvalla.
Ndryshe, pas zgjedhjes së presidentes Justina Shiroka-Pula, kjo ishte seanca e dytë plenare që është mbajtur në Kuvendin e Kosovës.
