Pesë vatra zjarri aktive dhe katër në monitorim, fokusi kryesor në malin e Dajtit

Nga D V
422 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 26 gusht, Zhurnal.mk – Ministria e Mbrojtjes njoftoi sot se gjatë 24 orëve të fundit, në territorin e vendit janë raportuar 34 vatra zjarri, nga të cilat 5 mbeten aktive dhe 4 janë nën mbikëqyrje.

Sipas MM-së, në operacionet për përballimin e situatës janë angazhuar në total 219 forca operacionale dhe 35 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura kanë mbështetur operacionet me 60 efektivë, 1 helikopter dhe 2 avionë Air Tractor.

Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur se fokusi kryesor mbetet në Malin e Dajtit, ku vatrat vijojnë aktive pas disa riaktivizimeve në të dyja anët e kreshtës. Operacioni vijon edhe sot, me përforcim prej 50 efektivësh të FA-së; gjatë operacionit janë angazhuar gjithashtu forca zjarrfikëse dhe të ADZM-së, ndërsa mbështetja ajrore është realizuar me 1 helikopter dhe 2 avionë Air Tractor. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në qarkun Dibër mbeten aktive dy vatra: në Ballenjë–Kostenjë, ku sot vijon angazhimi me 6 forca të AZM Dibër, dhe në Qafë të Helmës, Bulqizë, e cila vijon të monitorohet. Në të dyja rastet nuk raportohen rreziqe për zonat e banuara.

Në qarkun Elbasan vijojnë aktive vatrat në Malin e Dardhës, Librazhd, ku ka pasur riaktivizim dhe në terren ndodhen efektivë të MZSH Librazhd, si dhe në Malin e Qukësit, Prrenjas, ku është raportuar gjithashtu riaktivizim. Nuk rrezikohen zona të banuara.

Sipas njoftimit të ministrisë, situata paraqitet më e përmirësuar në Pukë, ku në Gjegjan, Gojan i Vogël, Gojan i Madh, Prozhëm dhe Tërbun nuk ka më vatra aktive; zonat vijojnë të mbahen nën mbikëqyrje.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.

Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër