Petrova: Cili është motivi i një juristi të ri të punësohet dhe të avancojë në karrierë në Prokurori, kur për pozitat udhëheqëse emërohen njerëz nga jashtë

Nga D. V.
657 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 16 qershor, Zhurnal.mk – Zëdhënësja e Prokurorisë për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit (PTHOKK), Maja Petrova, njëkohësisht edhe përfaqësuese sindikale në Prokurori, në seancën e sotme të Komisionit parlamentar për sistem politik shprehu revoltë në emër të kolegëve të saj. Ajo theksoi se ajo që ishte dakorduar me Ministrinë e Drejtësisë në grupet e punës për Projektligjin për shërbimin prokurorial, në platformën ENER është shfaqur diçka krejt tjetër, larg nga reforma.

Petrova tha se flet në emër të 350 të punësuarve në prokuroritë, të cilët çdo ditë punojnë me prova, me raste korrupsioni, vrasje, përdhunime, trafikim fëmijësh dhe drogë.

“Ishim në grupin e punës dhe ka gjëra të dakorduara të përfshira në projektligj. Por ajo që duhej të siguronte pavarësinë e shërbimit prokurorial nuk ekziston, edhe pse e kishim dakorduar. Kush i bëri ndryshimet dhe pse nuk ka argumente? Pse nuk e morëm kurrë versionin final të projektligjit? Pse kthehemi prapa dhe ende trajtohemi si çdo shërbyes tjetër, kur punojmë me krim? Pse futet kategoria ‘shërbyes shtetërorë të veçantë’ në shërbimin prokurorial, njësoj si në shërbimin gjyqësor? Nëse dikush ka ndërtuar karrierë 15 vjet në prokurori dhe është këshilltar apo këshilltar i pavarur, a do të bëhet nesër shërbyes shtetëror sipas Ligjit për shërbyesit administrativë? Ku është përjashtimi i premtuar nga ky status? Ata që e kanë fituar më parë statusin, përmes cilave dispozita kalimtare do të vazhdojnë?”, pyeti Petrova.

Ajo shtoi se reforma nuk duhet të krijojë ndarje të reja, por ta forcojë shërbimin si sistem profesional unik. Petrova pyeti gjithashtu pse kuadri ekzistues nuk promovohet, ndërsa për pozitat menaxheriale shpallen konkurse publike dhe pranohen persona nga jashtë.

“Cili është motivi i një juristi të ri të mbetet dhe të avancojë në karrierë në prokurori? Apo i një bashkëpunëtori të specializuar pas 10 ose 15 vjetësh punë? Sa mundësi reale për avancim ekzistojnë? Sepse zhvillimi i karrierës nuk është vetëm mundësi për avancim formal. Ai është sistem ku profesionalizmi ka perspektivë, ku njerëzit shohin të ardhme në institucion. Ku kuadrot më të mirë mbeten, në vend që ta braktisin shërbimin”, theksoi Petrova, duke nënvizuar problemet që nuk zgjidhen me projektligjin e propozuar.

Kryetari i Sindikatës së punëtorëve të administratës, organeve gjyqësore dhe shoqatave të qytetarëve (UPOZ), Trpe Deanoski, tha se projektligji për shërbimin prokurorial dhe ai për shërbimin gjyqësor janë të dëmshëm dhe se janë krijim i “chat gpt”, rezultat i bashkimit të dy ligjeve për administratën.

Prokurorja e lartë Fatime Fetai ishte e vetmja që kërkoi fjalën, edhe pse nuk preket drejtpërdrejt nga ligjet, por erdhi si përfaqësuese e Prokurorisë dhe në mbështetje të kolegëve.

“Ky ligj nuk ka të bëjë me paga, koeficientë, por me faktin nëse Prokuroria Publike do të vazhdojë të funksionojë në të ardhmen. Petrova përmendi rregulloret që duhet t’i sjellë ministri në kuadër të ligjit, unë do të shtoj: gjatë punësimit, avancimit, kudo është ministri i Drejtësisë. Mungon vetëm të sjellë rregullore për mënyrën e ushqimit të të punësuarve. Ky ligj është ndërhyrje në pavarësinë e Prokurorisë Publike nga pushteti ekzekutiv. Mungojnë informaticienët. Si do të realizohet digjitalizimi?”, pyeti Fetai, ndërsa anëtarët e Komisionit për sistem politik u ftuan të ndërhyjnë me amendamente, jo vetëm në këtë projektligj, por edhe në atë për shërbimin gjyqësor.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër