Një 79-vjeçare nga Britania e Madhe po refuzon të shesë tokën e saj, pasi një projekt për ndërtimin e një rruge anashkaluese parashikon prerjen e një lisi rreth 500-vjeçar që ndodhet në fund të oborrit të saj.
Jean Harris, ish-sekretare shkolle dhe mësuese pianoje, thotë se nuk mund të pranojë shkatërrimin e pemës shekullore, e cila sipas saj është jo vetëm një simbol i zonës, por edhe një habitat i rëndësishëm për shumë specie të egra.
“Është rreth 500 vjeç dhe në gjendje të shkëlqyer. Pse do të donte dikush ta shkatërronte? Është një pikë orientimi për të gjithë banorët e kësaj zone”, është shprehur ajo, shkruan Metro, transmeton Klankosova.tv.
Projekti synon devijimin e rrugës A49 përreth qytetit të Herefordit, me qëllim lehtësimin e trafikut në qendër të qytetit. Megjithatë, Harris beson se ndërtimi i një rruge me shpejtësi deri në 60 milje në orë pranë shtëpisë së saj nuk është zgjidhja e duhur.
Ajo paralajmëron se prerja e lisit dhe ndërtimi i rrugës do të dëmtonin rëndë ekosistemin e zonës.
“Këtu jetojnë lakuriq nate, kukuvajka dhe shumë kafshë të tjera të egra. Është një zonë kyçe për biodiversitetin dhe humbja e saj do të ishte katastrofike”, tha Harris.
79-vjeçarja shprehet gjithashtu e shqetësuar se rruga e re, një projekt rreth dy milje i gjatë me vlerë 45 milionë paund, do të sjellë zhurmë të vazhdueshme pranë shtëpisë ku jeton që nga viti 2003.
Pavarësisht presionit, ajo ka vendosur të mos e shesë pronën, duke u bërë simbol i rezistencës ndaj projektit dhe i mbrojtjes së natyrës, transmeton Klankosova.tv.
