Elbasan, 7 qershor Zhurnal.mk – Fermerët që kultivojnë drufrutorë po vijojnë me procesin e plehërimit të pemëve, një ndër ndërhyrjet më të rëndësishme agroteknike të kësaj periudhe. Specialistët e bujqësisë theksojnë se ushqimi i duhur i bimëve ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin e frutave, cilësinë e prodhimit dhe mbarëvajtjen e sezonit.
“Në këtë periudhë kemi dhe pjesën e plehërimit të pemëtoreve me plehra kimike kryesisht nëpërmjet sistemit të ujitjes dhe spërkatjes me plehërime ushqyese ku e plani9fikojmë në bazë të kalendarit vjetor të plehërimit dhe në këtë periudhë përdorim rreth 30-40% të plehrave kimike”, u shpreh Nevjon Tehla, Specialist i sektorit të pemëtarisë, QTTB.
Sipas Telhas, gjatë kësaj faze pemët kanë nevojë për elementë ushqyes që ndihmojnë në rritjen dhe formimin e frutit. Ai rekomandon që fermerët të respektojnë normat e plehërimit, duke u bazuar në analizat e tokës dhe moshën e pemëve, për të shmangur si mungesat ashtu edhe përdorimin e tepërt të plehrave.
“Mund të ketë problematika rishtazi që çdo fermer i shikon hap pas hapi sepse bëhen monitorime të vazhdueshme dhe marrja e masave është në varësi të situatës”, tha ai.
Një plehërim i balancuar jo vetëm rrit rendimentin, por edhe forcon rezistencën e bimëve ndaj stresit klimatik dhe sëmundjeve. Ndërkohë, fermerët janë të angazhuar në kryerjen e këtij procesi me synimin për të siguruar një prodhim sa më cilësor dhe të bollshëm gjatë sezonit.
