Plevla e Malit të Zi kërkon “çnjohjen” e Kosovës, Dukaj: Merruni me problemet e qytetarëve tuaj

Nga Xh M
933 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Podgoricë, 21 korrik Zhurnal.mk – Kuvendi Komunal i Plevlës në Mal të Zi ka miratuar të martën një deklaratë për mosnjohjen e vendimit të Malit të Zi për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Ndaj këtij vendimi ka reaguar ministri i Administratës Publike në vend, Marash Dukaj.

Ai tha se kjo deklaratë nuk i kontribuon të ardhmes evropiane të Malit të Zi.

“Nuk është mirë që këshilltarët komunalë të Plevlës i kanë përvetësuar elemente kushtetuese dhe juridike që nuk u takojnë, ndonëse nuk më pengon që demokracia e mendimit të lirë të shtrihet në të gjitha sferat e shoqërisë – por pa cenuar marrëdhëniet e mira fqinjësore, të cilat janë qëllimi parësor i vendit tonë. Plevla dhe politikanët atje ua kanë borxh qytetarëve të tyre kushte më të mira për një mjedis të shëndetshëm jetese, zhvillim të qëndrueshëm, e jo vendosjen në plan të parë të ideologjive politike partikulariste dhe rajonale, të cilat nuk janë në interes të Malit të Zi të sotëm”, ka shkruar Dukaj në llogarinë e tij në rrjetin social X.

Kujtojmë se kjo është komuna e dytë në Mal të Zi që miraton një dokument të tillë, ndonëse komunat nuk kanë kompetencë kushtetuese për të tërhequr njohjen shtetërore, ndaj këto vendime nuk e ndryshojnë faktin se Mali i Zi vazhdon ta njohë zyrtarisht Kosovën.

Dokumenti është propozuar nga Partia Popullore Demokratike (DNP) e Milan Knezheviqit, e afërt me Beogradin zyrtar, ndërsa i njëjti dokument ishte miratuar më herët edhe nga Kuvendi Komunal i Zetës.

Në dokument, siç ka raportuar “Vijesti”, nuk ka formulim të qartë për “çnjohjen” e Kosovës, as në Zetë dhe as në Plevlë. Megjithatë, thuhet se parlamenti komunal i Plevlës “mbetet i përkushtuar ndaj paprekshmërisë së sovranitetit dhe integritetit territorial të Serbisë, të bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër