Shkup, 22 shkurt – Zhurnal.mk – Propozim ligji për arsim të lartë nuk ka për qëllim rritjen e cilësisë në arsimin sipëror por është një përpjekje për të ndërhyrë në autonominë e Universiteteve publike, sidomos ato shqiptare, konsideron profesorin universitar, Bashkim Selmani.
Në një intervistë për TVM2, Selmani thotë se të gjithë janë për ndryshim dhe rritje të cilësisë, por konteston nenet 61 dhe 63.
“Nëse merret për bazë reformat apo ndryshimet siç po tenton Qeveria aktuale, në këtë rast nëse merret për bazë pjesa historike, shohim se të gjitha reformat që janë bërë nga përvoja e arsimit fillor, të mesëm, dhe ashtu është tendencat e fundit janë edhe në arsimin e lartë, për formën dhe mënyrën e sjelljes kam medimin se është i përshpejtuar, për arsyeje se çdo ligj që sillet duhet ta lexojnë gjendjen faktike, dhe ndryshimet të burojnë nga Universitetet dhe nga niveli akademik shkencor. Po ta lexojmë me përpikëri shohim nenin 63, 61 dhe nenet e tjera që janë diametralisht të kundërta, dhe që drejtpërsëdrejti insistohet të preket autonomia publike e Universiteteve shqiptare, përbënë një nga tendencat me të cilat me të drejtë Universitetet kanë qëndrimet e tyre të kundërta” – u shpreh Profesori universitar, Bashkim Selmani.
Profesori Selmani për TVM2, poashtu theksoi se ligji në fjalë nuk parasheh parametrat e gjendjes faktike të arsimit të lartë se ku ka ngecur.
“Gjithë janë për reforma dhe për ndryshime, por të gjitha reformat që sillen nuk duhet të dëmtojnë traditën dhe autonominë universitare, për arsyeje se ligji duhet t’i ketë disa elemente, të jetë i qartë, të vendohet për mbrojtjen e interesit publik, poashtu edhe për mënyrën e kuadrove të reja, dhe rolin dhe pozicionin e studentëve. Fatkeqësisht ligji nuk parasheh ato parametrat e gjendjes faktike se ku ka ngecur, ose cilat janë plotësimet të cilat duhet bërë në aspektin pozitiv, për arsyeje se legjislacioni dhe ligji janë ata që duhet të sigurojnë kualitetin dhe cilësinë” – deklaroi Selmani.
Profesori Selmani potencon se shkaset për nivelin e arsimit të lartë duhet të kërkohen edhe në institucionet tjera arsimore, sic është Komisioni për Evaluim, I cili për një decenie nuk ka funksionuar fare.
Selmani poashtu theksoi se në ditët në vazhdim pret që të ketë edhe reagime tjera, sepse ligji po sjellë dilema të shumta dhe amulli, të cilat nuk kanë për qëllim përmirësimin e gjendjes faktike, por dëmtimin e bërthamës së funksionimit të arsimit të lartë shqip.
