Prilep, 14 maj Zhurnal.mk – Kryetari i Komunës së Prilepit, Dejan Prodanski, priti sot në komunë të ngarkuarën me punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Nicole Varens, me të cilën diskutuan për gjendjen aktuale, proceset zhvillimore dhe prioritetet e ardhshme të qytetit.
Në fokus të takimit ishte Plani i ri i Përgjithshëm Urbanistik, i cili sipas Prodanskit përfaqëson një nga dokumentet më të rëndësishme për zhvillimin e ardhshëm të Prilepit.
Si komuna më e madhe në vend sipas territorit, Prilepi ka nevojë për planifikim modern urban që do të mundësojë zhvillim afatgjatë, organizim më të mirë të infrastrukturës dhe kushte më cilësore për jetesë.
Në takim u diskutua edhe për arsimin dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit me Ambasadën e SHBA-së, me qëllim hapjen e mundësive të reja për të rinjtë në Prilep.
Po ashtu, u fol edhe për potencialin turistik të qytetit, duke u theksuar përpjekjet që Prilepi të pozicionohet më fuqishëm në hartën turistike përmes turizmit manastiror, trashëgimisë kulturore, bukurive natyrore dhe sporteve alternative.
Prodanski dhe Varens diskutuan edhe për projektet kapitale infrastrukturore, veçanërisht ndërtimin e unazave “Lindje” dhe “Perëndim”, të cilat pritet të përmirësojnë lidhjen rrugore, të ulin trafikun urban dhe ndotjen, si dhe të rrisin sigurinë dhe funksionalitetin e sistemit të qarkullimit.
Gjatë takimit u theksuan marrëdhëniet e mira dhe bashkëpunimi mes Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së, duke u konfirmuar angazhimi për vazhdimin e forcimit të marrëdhënieve ndërkombëtare të komunës së Prilepit me vende dhe partnerë miqësorë.
