Shkup, 14 maj Zhurnal.mk – Projektligji për procedurën kontestimore ka kaluar në lexim të parë në Komisionin për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, si dhe në Komisionin për Çështje Ligjore.
Zëvendësministri i Drejtësisë, Alen Dereban, duke e arsyetuar zgjidhjen ligjore para deputetëve, theksoi se bëhet fjalë për një nga ligjet kyçe reformuese në fushën e drejtësisë, i cili synon rritjen e efikasitetit të procedurave gjyqësore, forcimin e sigurisë juridike dhe rritjen e besimit të qytetarëve në sistemin gjyqësor.
Sipas Ministrisë së Drejtësisë, miratimi i këtij ligji përbën përmbushjen e një obligimi të rëndësishëm nga Strategjia për Zhvillimin e Drejtësisë 2024–2028 dhe Programi i Qeverisë për vitin 2025.
Ligji i ri parasheh përmirësim të mbrojtjes juridike dhe zhvillim më efikas të procedurave, si dhe avancim të procesit të ekspertizës, duke i dhënë mundësi gjykatës që edhe me detyrë zyrtare të urdhërojë ekspertiza dhe këqyrje në vend si prova. Kjo, sipas Ministrisë, forcon rolin e gjykatës në vërtetimin e gjendjes faktike.
Gjithashtu, parashikohet dorëzim elektronik nga të dyja palët, si hap i rëndësishëm drejt digjitalizimit të plotë të lëndëve gjyqësore. Seancat publike do të mund të mbahen edhe në mënyrë elektronike, përmes komunikimit audio-vizual në kohë reale, gjë që pritet të ulë vonesat dhe kostot për palët.
Ligji parashikon edhe zgjerimin dhe përshpejtimin e procedurave për kontestet me vlerë të vogël, si dhe uljen e gjobave për pjesëmarrësit në procedura, me qëllim drejtësi më të madhe dhe proporcionalitet.
Për herë të parë, parashikohen edhe padi përfaqësuese për mbrojtjen e interesave kolektive, duke mundësuar qasje më të gjerë në drejtësi dhe shmangie të shpenzimeve të panevojshme për qytetarët.
