Mickoski: Dy interkonektorët e gazit do të rrisin rëndësinë gjeostrategjike të Maqedonisë së Veriut

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 16 tetor, Zhurnal.mk – Maqedonia e Veriut po ndërton dy interkonektorë të gazit natyror, njëri me Greqinë dhe tjetri me Serbinë, të cilët pritet të rrisin ndjeshëm rëndësinë gjeostrategjike të vendit dhe të krijojnë mundësi të reja për investime në sektorin energjetik.

Kështu deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me ecurinë e procesit të gazifikimit, përfitimet për qytetarët dhe afatet e përfundimit të projekteve.

Sipas Mickoskit, interkonektori i parë pritet të sinkronizohet dhe të vihet në përdorim deri në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit të ardhshëm, ndërsa i dyti pritet të jetë plotësisht i sinkronizuar deri në fund të vitit 2028.

„Në këtë moment, si kurrë më parë, po ndërtohen dy interkonektorë të gazit, njëri me fqinjin tonë jugor, tjetri me fqinjin tonë verior“, deklaroi Mickoski.

Ai theksoi se këto projekte do ta forcojnë pozitën e Maqedonisë së Veriut në aspektin gjeostrategjik, duke krijuar njëkohësisht kushte më të favorshme për investitorët e interesuar për ndërtimin e kapaciteteve prodhuese të energjisë elektrike që përdorin gazin natyror si lëndë djegëse.

Paralajmërohet konvertimi i termocentraleve nga thëngjilli në gaz
Kryeministri bëri të ditur se infrastruktura e re mund të krijojë mundësi edhe për modernizimin dhe rikonstruksionin e termocentraleve që aktualisht përdorin thëngjillin.

Sipas tij, kalimi në gaz do të mundësonte ruajtjen e vendeve të punës dhe vazhdimin e funksionimit të këtyre kapaciteteve energjetike.

„Këta dy gazsjellës do të nënkuptojnë një mundësi për investitorët që do të dëshironin të investojnë në kapacitete prodhuese të energjisë elektrike të cilat e përdorin gazin si lëndë djegëse“, tha Mickoski.

Ai shtoi se konvertimi i termocentraleve me thëngjill në ato me gaz është një proces për të cilin tashmë kanë nisur bisedimet mes SHA EMV-së dhe Bankës Botërore.

„SHA EMV tashmë është duke biseduar me Bankën Botërore dhe mendoj se shumë shpejt do të kem lajme shumë të bukura për atë projekt“, deklaroi kryeministri.

Megjithatë, Mickoski nuk bëri të ditur një afat konkret për realizimin e konvertimit të termocentraleve, duke paralajmëruar se më shumë informacione për projektin mund të bëhen publike së shpejti.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër