Tiranë, 17 qershor, Zhurnal.mk – Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, përcolli në rrjetet sociale, pamje nga punimet për restaurimin dhe konservimin e Teqesë së Koshtanit, Monument Kulture, Kategoria I, dhe një nga qendrat më të rëndësishme të bektashizmit në jug të vendit.
Teqeja e Koshtanit, e themeluar në vitin 1807, ka një rëndësi të veçantë historike dhe shpirtërore. Në vitin 1908 aty u hap edhe shkolla e parë shqipe për krahinën e Tepelenës.
Projekti, i hartuar nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore dhe Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër, parashikon konsolidimin strukturor të objektit, restaurimin e çatisë me rrasa guri, rikuperimin e elementeve drusore origjinale, restaurimin e dyshemeve dhe tavaneve, si dhe trajtimin e fasadave për mbrojtjen afatgjatë të monumentit.
Punimet realizohen me financimin e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore.
