Qëndrimi për Ilir Metën, Blushi falenderon Nikoloskin

Nga Xh M
328 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë/Shkup, 8 prill Zhurnal.mk – Deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka shprehur falenderimet e tij për Zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Aleksandar Nikoloski, për qëndrimin e tij në Parlament, lidhur me rastin e rrëmbimit dhe burgosjes së Presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta.

Në një postim të fundit në rrjetet sociale, Blushi thekson se Nikoloski për herë të dytë ka ngritur në mënyrë të qartë këtë çështje, ndërsa ka kritikuar Kryetarin e Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, për qëndrimet e tij, të cilat sipas Blushit, ndjekin një narrative të “keqinformuar, dashakeqe dhe Sorosiste, që shërben interesave të Edi Ramës”.

“Në kontrast të plotë, është për të ardhur keq që Kryetari i Aleancës për Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, Z. Arben Taravari, ka zgjedhur të bëhet pjesë e një narrative të qëllimshme, dashakeqe, keqinformuese dhe SOROSISTE, që i shërben vetëm interesave politike të Edi Ramës. Do të doja të besoja se kjo vjen si pasojë e keqinformimit të tij dhe jo e keqpërdorimit të qëllimshëm”, shkruan Blushi.

Deputeti i PL i bën thirrje Taravarit të mos bëhet pjesë e instrumentalizimeve politike dhe i kujton rolin historik dhe kontributin e Ilir Metës në çështjet kombëtare dhe rajonale.

Blushi shton se Marrëveshja e Ohrit, roli i Metës si Kryeministër dhe përpjekjet e tij për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, janë të dokumentuara dhe të padiskutueshme.

“Ilir Meta është një burrë shteti dhe një patriot i palëkundur, kontributi i të cilit për çështjen kombëtare, për paqen, stabilitetin dhe përparimin në rajon, veçanërisht për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, është mëse i njohur, i dokumentuar, i vlerësuar dhe i padiskutueshëm.

Mjafton t’ju kujtoj rolin e tij historik si Kryeministër gjatë krizës në Maqedoni dhe angazhimin vendimtar për arritjen e Marrëveshjes së Ohrit, për bashkimin e gjithë faktorit shqiptar dhe për realizimin e saj, siç është fakt historik që Ilir Meta si Kryeministër dhe i ndjeri Presidentit Trajkovski janë pritur në të njëjtën kohën në Shtëpinë e Bardhë në Uashington DC nga Presidenti Bush”, shkruan ai.

Postimi i plotë:

Një falenderim i përzemërt për mikun e mirë të Shqipërisë Zv.kryeministrin e Maqedonisë së Veriut Z.Aleksandar Nikoloski, dhe një mesazh për mikun e Edi Ramës, Arben Taravari

Në emër të Partisë së Lirisë, dua të shpreh mirënjohjen dhe respektin e sinqertë për qëndrimin parimor të Zëvendëskryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Z. Aleksandar Nikoloski, i cili për herë të dytë në një kohë të shkurtër ka ngritur në Parlament çështjen e rrëmbimit të dhunshëm kriminal dhe burgosjes politike të Presidentit të Partisë së Lirisë, Z. Ilir Meta.

Dua ta falenderoj për vullnetin e tij personal dhe politik të shprehur nga tribuna e Parlamentit të Maqedonisë së Veriut për domosdoshmërinë e forcimit të pandalshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera tradicionale mes dy vendeve tona fqinje.

Në kontrast të plotë, është për të ardhur keq që Kryetari i Aleancës për Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, Z. Arben Taravari, ka zgjedhur të bëhet pjesë e një narrative të qëllimshme, dashakeqe, keqinformuese dhe SOROSISTE, që i shërben vetëm interesave politike të Edi Ramës.

Do të doja të besoja se kjo vjen si pasojë e keqinformimit të tij dhe jo e keqpërdorimit të qëllimshëm.

Megjithatë, kur pretendohet nga Z. Taravari se pas rrëmbimit kriminal të Presidentit Meta qëndrojnë SHBA dhe BE, një sqarim bëhet i domosdoshëm.

Të vetmit “amerikanë” që mund të përmenden në këtë kontekst janë individë, një kriminel i njohur botërisht si i korruptuar nga Edi Rama, si Charles McGonigal dhe të tjerë që mund të përballen me drejtësinë amerikane dhe mund të përfundojnë në burg si ai.

Po ashtu, të vetmit “europianë” që mund të lidhen me këtë çështje janë figura të diskredituara, të përfshira në afera dhe me probleme të hapura ligjore, si Znj. Mogherini, e cila jo vetëm ka probleme me drejtësinë europiane, por duhet hetuar edhe këtu për Kampusin e Tiranës, që i ka falur Edi Rama duke përzënë studentët nga Tirana në Durrës.

Po kështu ju kujtoj se ishte Znj. Mogherni që në kundërshtim me gjithë historinë dhe vlerat e Bashkimit Europian, hapi temën e ndryshimit të kufijve, për të gjymtuar Kosovën,

I nderuar Z. Taravari,

Ilir Meta është një burrë shteti dhe një patriot i palëkundur, kontributi i të cilit për çështjen kombëtare, për paqen, stabilitetin dhe përparimin në rajon, veçanërisht për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, është mëse i njohur, i dokumentuar, i vlerësuar dhe i padiskutueshëm.

Mjafton t’ju kujtoj rolin e tij historik si Kryeministër gjatë krizës në Maqedoni dhe angazhimin vendimtar për arritjen e Marrëveshjes së Ohrit, për bashkimin e gjithë faktorit shqiptar dhe për realizimin e saj, siç është fakt historik që Ilir Meta si Kryeministër dhe i ndjeri Presidentit Trajkovski janë pritur në të njëjtën kohën në Shtëpinë e Bardhë në Uashington DC nga Presidenti Bush.

E kuptoj se nuk jam në pozicion për t’ju dhënë këshilla, por në frymën e një komunikimi të sinqertë dhe vëllazëror, do t’ju sugjeroja të mos bëheni pjesë e keqpërdorimeve politike, pasi Edi Rama ka dëshmuar në mënyrë të përsëritur se është i gatshëm të instrumentalizojë këdo, të tallet dhe ta keqpërdorë pa mëshirë për interesat e tij, siç ka bërë në të kaluarën me shumë “ish-shokë” të tij. E shkruaj në thonjza sepse të vetmin shok të sinqertë, Edi Rama ka veten e tij.

Duke e falënderuar edhe një herë Z. Nikoloski për qëndrimin e tij të qartë parimor, plot dinjitet, me karakter dhe të guximshëm, më lejoni të theksoj një fakt domethënës: vetë Z. Meta i ka kërkuar që të mos e ngrejë këtë çështje, ndonëse askush nuk mund të pengohet të shprehë bindjet e tij.

Po ashtu, as ne nuk mund t’ju pengojmë ju, Z. Taravari, të ndiqni rrugën që keni zgjedhur, edhe nëse ajo nënkupton të bëheni me vetëdije pjesë e një keqpërdorimi politik nga Edi Rama.

Në rast se kërkoni të jeni objektiv në qëndrimet tuaja, ne jemi të hapur t’ju vendosim në dispozicion gjithë informacionin e nevojshëm.

Marrëdhëniet e shkëlqyera tradicionale dhe fqinjësisë së mirë të Republikës së Shqipërisë me Maqedoninë e Veriut në asnjë rast nuk do mund të kompromentohen nga interesat okulte dhe vasalitetet e paprincipta mes individëve apo politikanëve të caktuar, këtej dhe andej kufirit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër