Qeveria ka 77 milionë euro nga Agjencia e Punësimit për shpëtimin e pensioneve

Nga Xh M
661 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 26 gusht Zhurnal.mk – Agjencia e Punësimit, në raportin e publikuar për punën e saj gjatë vitit 2025, ka bërë të ditur se ka akumuluar teprica të të hyrave nga viti i kaluar dhe vitet paraprake në vlerë prej 77,2 milionë eurosh. Pikërisht këto para pushteti dëshiron t’i përdorë për të përmirësuar likuiditetin e Fondit Pensional, i cili po bëhet gjithnjë e më i varur nga buxheti shtetëror.

Me ndryshimet në Ligjin për kontributet e sigurimit të detyrueshëm social do të shkurtohen mjetet për Agjencinë e Punësimit, ndërsa më shumë mjete do të drejtohen drejt Fondit për Sigurim Pensional dhe Invalidor (FSPIM), në mënyrë që të mund të paguhen pensionet, të cilat së shpejti pritet të rriten me harmonizimin e radhës. Ndryshimet në Kuvend u dorëzuan nga deputetë të shumicës qeverisëse dhe u miratuan me procedurë të shkurtuar.

Agjencia e Punësimit në raportin e saj informon se kanë mbetur rreth 4,75 miliardë denarë si tepricë të të hyrave. Këto mjete kryesisht janë grumbulluar si fonde të pashpenzuara për masat e punësimit dhe transferet për personat që kanë mbetur pa punë. Teprica e mjeteve të bartura nga vitet paraprake ishte rreth 60 milionë euro. Ndërkaq, vetëm gjatë vitit 2025 kanë mbetur rreth 12 milionë euro diferencë ndërmjet shpenzimeve të planifikuara dhe atyre të realizuara.

Norma aktuale e kontributit që ndahet për FSPIM është 18,8 për qind, ndërsa me ndryshimet në ligj ajo do të rritet në 19,9 për qind. Nga ana tjetër, kontributi për sigurimin në rast papunësie, i cili aktualisht është 1,2 për qind, do të ulet në vetëm 0,1 për qind.

Masa është planifikuar të jetë kalimtare, përkatësisht të vlejë nga paga e muajit qershor deri te paga e muajit dhjetor të këtij viti. Norma e përgjithshme mbetet 28 për qind, që do të thotë se nuk ka ndryshim në shumën totale të kontributit që paguhet. Ligji u miratua më 28 qershor.

Qëllimi i zgjidhjes ligjore është forcimi i stabilitetit financiar të Fondit për Sigurim Pensional dhe Invalidor të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në kushtet kur Agjencia e Punësimit ka tepricë të mjeteve të akumuluara në depozita, sqarojnë propozuesit.

Zgjidhja e propozuar ligjore erdhi vetëm disa ditë pas publikimit të raportit të auditimit për punën e fondit shtetëror pensional. Auditimi konstatoi se, megjithëse të hyrat e FSPIM-it nga arkëtimi i kontributeve janë rritur — në vitin 2024 me 14 për qind krahasuar me vitin paraprak — ato vazhdojnë të jenë të pamjaftueshme për mbulimin e pensioneve.

Diferenca po mbulohet me gjithnjë e më shumë mjete që Fondi i merr përmes transferimeve nga buxheti shtetëror.

Auditimi gjithashtu konstatoi se Fondi nuk i kryen në kohë pagesat e kontributeve për sigurimin shëndetësor të pensionistëve drejt Fondit për Sigurim Shëndetësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut, edhe pse ka obligim ligjor për ta bërë këtë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër