Qeveria në seancë të jashtëzakonshme do të ulë akciza për karburantet

Nga Xh M
404 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 4 prill Zhurnal.mk – Në një mbledhje të jashtëzakonshme të qeverisë do të ulet akciza për karburantet. Sipas kryeministrit Hristijan Mickoski, akcizat për dizelin do të ulen për 4 denarë për litër, ndërsa për benzinat për 2 denarë për litër. Mickoski paralajmëroi se do të rifillojnë bisedimet me OKTA-n, duke pasur parasysh se më 6 prill skadon zbritja e tyre për karburantet, transmeton Alsat-M.

“Me mbledhjen e nesërme të qeverisë janë përmbushur kushtet që akcizat për dizelin t’i ulim për 4 denarë për litër, ndërsa për benzinat për 2 denarë për litër, kështu që dizeli do të korrektohet, supozoj të hënën për rreth 3 denarë”, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski.

Akciza e ulur, siç deklaroi kryeministri, do të ndikojë me dhjetëra miliona euro në buxhet, por ai shtoi se buxheti është në gjendje të mirë dhe paralajmëroi se pas dy javësh do të vazhdojë edhe masa për uljen e TVSH-së për karburantet në 10 përqind. Lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, tha se Qeveria me vonesë po i shqyrton masat që ata i kanë propozuar gjatë periudhës së kaluar. Sipas tij, çmimin e kësaj vonese në masa e kanë paguar qytetarët.

“Apeloj që qeveria të vetëdijesohet, kryeministri të fillojë të jetojë në realitet, këtu te ne. Të ndalojë ta udhëheqë qeverinë në mënyrë diletante. Të paktën pak të mendojë, të mendojë si jetojnë qytetarët dhe t’i pranojë masat tona të propozuara, paketën e masave. Edhe pse tani është vonë, megjithatë do të kenë një efekt të caktuar”, tha Filipçe.

Ndërkohë, Ministria e Energjetikës po shqyrton rekomandimet për kursim që së fundmi i prezantoi Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë. Në paketën e rekomandimeve përfshihen kufizimi i kërkesës për karburante, ulja e kufirit të shpejtësisë në autostrada për 10 kilometra në orë, nxitja e përdorimit të transportit publik, sistemi çift-tek për automjetet private, ndarja e transportit, përkatësisht adoptimi i zakoneve më ekonomike të vozitjes, si dhe puna nga shtëpia aty ku është e mundur.

Kriza aktuale e çmimeve të karburanteve lidhet ngushtë me zhvillimet gjeopolitike në Lindjen e Mesme, ku përshkallëzimi i konfliktit ushtarak i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli ka ndikuar drejtpërdrejt në tregjet globale të energjisë. Ky tension ka shkaktuar pasiguri në furnizimin me naftë dhe rritje të çmimeve në bursat ndërkombëtare, duke reflektuar më pas edhe në vendet e rajonit. Si pasojë, shumë shtete janë përballur me rritje të kostove të importit të karburanteve, çka ka detyruar qeveritë të ndërhyjnë me masa fiskale dhe rregullatore për të zbutur ndikimin tek qytetarët.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër